Mittwoch, 7. November 2012

NJË POEZI NGA VAILD HYZOTI

 
MË KA HUMBUR E DASHURA

 E bëra denoncimin në policinë e shtetit,
Në europol, interpol, në gazetat e mëdha,
Plotësova formularët me kërkesat standarte:
“Shënjat e vecanta që ka…”.
Dhe kudo tunden kokën të pakënaqur,
Krejt skeptikë tregohen me mua.
Thua të gjithë s’e njohin dashurinë,
Ka në botë njerëz që kurrë s’dashuruan?
Vetëm gazetat qenë më tolerante,
Lajmin e vunë në kolonën për humbjen e qenve.
Pastaj më nisën ambulancën,
Të prisja të dashurën në spitalin e të cmëndurve.
S’e di në qenë hetuesë a mjekë,
Në qenë studentë të degës së pikturës,
Prisnin t’u jepja një shpjegim të plotë,
Për moshën, sytë, buzët, shijen e gjuhës…
Dhe unë të gjitha ia thashë,
Se 17 vjece e dashura ishte,
Nuk bën tualet, e ka të panevojshëm,
Se bukurinë e ka të natyrshme,
Se buzëqeshjen e ndez sa më sheh
Dhe në sy mban portretin tim.
Unë flisja…Ata shënonin në letra.
 ...mjekët më shtruan,
Gazetat kërkonin shpërblim.
Për të dy palët, vetëm të ma gjenin
Nënshkrova t’u jepja shpirtin tim.
Më thanë të gjithë se do kërkojnë e do ma sjellin,
Në shpirtin ,(për siguri) u jap më parë.
Tani kërkoj në boshësinë e vetvetes.
Po shpirtin tim ajo vajzë ka marrë…

CIKËL POETIK NGA IZET ABDYLI


LEGJENDA

Për t’i dhënë kuptim madhështisë
I vura në lëvizje të gjitha tropet, figurat, metaforat
I bëra të gjitha krahasimet
Që nga mitet antike
Legjenda për trimin me nëntë plagë
Me emrin Gjergj Elez Ali

E krahasova me përmasën fizike të Mujit
Me përmasën e urtisë së plakut Xhemajl Abria

Çuditërisht asnjë pikëpjekje, asnjë dyzim
Çdo figurë çdo krahasim më doli tek

E binda veten se heroi ishte legjendë në vete
Me emrin ADEM


 

ÇMIMI I LIRISË

Të durosh katër stinët
T’i mbërthesh në një stinë
Gur stralli të bëhesh
Kur zemra ngrin nga pikëllimi

Bën acar
fryn breshri plumbash që ndalin blerimin
Petalet e luleve kuqëlojnë pikë-pikë

Mollëkuqet e ndalueme të mbesin në fyt
Gjethet e vjeshtës shkundin sërish pikëllimin

Katër stinët sillen në rrethin dantesk
Bie borë e kuqe zemra të mos ngrijë
Mbin bar i kuq kuqëlon blerimi
Krejt është njësoj
Kur krojet pastrojnë plagët kuq të trimit
E shiu pikon kuq mbi dhembjen njerëzore

Terrin e katër stinëve ta durosh
Shpresa se do vijë agimi të mos fiket
I sh(enjtë)trenjtë është Çmimi i Lirisë

Dobroshevc, Lugu i Madh, 2 Maj 1999,



ATO ISHIN NJËMIJË*

Ato ishin një mijë lule
Një mijë herë shijova nektarin e tyre

Ato ishin një mijë këngë
Një mijë herë i këndova me zjarrin e zemrës sime

Ato ishin një mijë dritare
Që shpiejnë në një mijë shtigje-rrugëtime

Ato ishin një mijë rreze-drite
Që shkëndijonin një mijë ëndrra-shpresa-kujtime

Ato ishin një mijë margaritarë
Që reflektonin një mijë ide-rrëfime

Ato ishin një mijë puhiza
Që freskonin shpirtin-mendimin

Ato ishin një mijë libra
Që një ditë të zymtë, pamëshirshëm në hi
I shndërroi armiku

*. Gjatë ofensivës së 22 shtatorit 1998 barbarët serbë
dogjën 1000 tituj të bibliotekës sime personale




VRASTARËT

I
Kokat e tyre
Antikoka
Përballë epsheve sadiste
Sfidohet jeta
Terri-tmerri
Mbërthejnë në kornizë
Një emërtim të çuditshëm
Jetë-vdekje

21.01.1999

II

Fillimisht duken silueta njeriu
Së afërmi gjasojnë në bisha

Në duart vrastare
Mbajnë thika të përgjakura

Në sy u fshehet dinakëria-pabesia
Moto e tyre sadiste
Sa më shumë gjak
Sa më shumë tmerr

Zgërdhihen para viktimave
Çirren si bisha
Vrastarët
Antinjerëz

24.01.1999



GUR I MALLKUAR
Është një gur i thepisur në periferi të fshatit Gradicë

Vendësit i thonë Guri i Nabadit

Më 24 shtator të nëntëdhjetetetës

Do dëshiroja ky gur të mos ishte fare

Maje tij nuk do vihej A. para pushkatimit

Në rrugën rrëzë tij nuk do bëheshin pesë veta batare

Në lëndinën përballë tij nuk do hapeshin pesë plus pesë varre

Nuk do t`i vëja nofkën guri i mallkuar

Me dufin e urrejtjes për vrastarët

Dobroshevc, 28.01.1999




LUGU I MADH
Diçka më shumë se kuptim gjeografik
Përmasa e tij matet me sigurinë njerëzore

Në thellësi të tij njerëzit e strukur në tenda najloni
Shërojnë plagët, dhembjet, vuajtjet …

Diçka më shumë se kuptimi mal
Që dimrave të ashpër na falte dru për ngrohje

Sërish këto dru na u deshën këtë pranverë-dimër
Ku buka e grurit-misërnikës gatuhet nën saq
E ndahet në përmasën e dashurisë njerëzore

Lugu i Madh s’është sall kuptim gjeografik

Dobroshevc, Lugu i Madh 1 Maj 1999



 


DILEMË


Në Lugun e Madh
Kur jeta varej në zgripc

O sot o nesër
Shpresë e Lirisë - Jetës
Fironte e gjallë

Dhe nuk e thonë kot
Shpresa e fundit vdes

Agu i lirisë
Një mëngjes shpërtheu

Duke zgjidhur dilemën
Jetë - Vdekje




KULLA

Emblemë lashtësie
Ku ngjizet historia

Ngrehinë qindvjeçare
Me të cilën krenohej fisi
Etërit, gjyshërit, stërgjyshërit
Den baba den

Ngrehinë që sfidoi erërat
Stuhitë e të gjitha luftërave
Veç luftës së fundit të çmendisë
Kur të dogjën të rrënuan

Mbeti vetëm oxhaku
I lartësuar drejt qiellit
Të (I)lirisë

Qershor 1999




QËNDRUAM FLAMUR

Sa herë kjo tokë u njomë me vrushkuj
Gjaku
Prapë janë shtuar filiza të rinj

Sa herë këtu dielli ka lindur i përgjakur
Pa drojë rrugën e dritës kemi mësyrë

Sa herë ëndrrave tona ua mbyllën shtegun
Porsi meteor e kemi çarë terrin

Sa herë emrit tonë i vunë pikëpyetje
Çuditërisht mbaroi me pikëçuditëse

Sa kurtha - prita në çdo hap na vunë
Stuhive u vumë gjoksin qëndruam Flamur



TESTAMENT LUFTËTARI

Në vdeksha i ri
Të mos u rrjedh asnjë pikë lot
Borxh ia kemi kësaj toke
Lirinë për jetë e mot





Shënime për autorin

Izet Abdyli u lind më 26 shkurt 1961 në Dobroshevc (Dritan) të Gllogocit (Drenasit). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gllogoc, ndërsa Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Jeton në Dritan të Drenasit, ndërsa punon në detyrën e Sekretarit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Me shkrime filloi të merret që nga bankat e fillores. Ishte i pranishëm në shtypin e kohës si “Bota e Re”, “Zëri Rinisë”, “Rilindje”, “Kosovarja”, “Dielli” etj. Mori disa shpërblime në konkurse letrare. Ka të botuar dy përmbledhje me poezi: “Fjalë Zemre” 1995 dhe “Kur vjeshta shkund pikëllimin” 2005, si dhe është prezantuar në vëllimin poetik “Prelud Poetik” (grup autorësh) 1997, ka te botuar librin “Në mes jetës dhe vdekjes”, fletëza ditari lufte, 2008.
Gjatë luftës së fundit, më 22 shtator 1998 piromanët serbë ia dogjën Bibliotekën personale me 1000 tituj, pastaj dorëshkrime si: një ditar jete, një përmbledhje të gatshme me poezi dhe disa tregime e shkrime të tjera letrare. Gjatë luftës ka raportuar nga zonat e luftës në Drenicë për televizionin shqiptar (përmes redaksisë së TVP-së në Prishtinë) dhe për Qendrën për Informim të Kosovës (QIKU-n).Ishte gazetar i të përditshmeve “Dardania Press”,“Kosova Sot”, “Pavarësia” dhe bashkëpunëtor i revistës “Kosovarja”.

_______

Dienstag, 9. Oktober 2012

Haxhi Muhaxheri: NJË KËNGË E RE PO VJEN


Poezi nga Haxhi Muhaxheri


POETI

Fle me të gjitha të dashurat
dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
gjuhën e yjve mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
në kërkim
të fjalës së pa thënë
një këngë e re po vjen




PSE VDIÇ POETI

Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja

Mos pysni
pse vdiç poeti




KUR MË THOSHE

(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s'e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!

-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!

-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!

Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

Plaku im i urtë,
Ç'peshë të kishte fjala...




LALËS

Rudha e ballit
vrragë kohësh

Fjala
mbrumur motesh

Hapi i tij
shteg i ri

Unë
bimë e farës së tij

"Rilindj", 26.04 1987




GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëmoti
kengen e diellit

Ëndërroja
dashuroja

Gurrë jete e gëzimi
vret macen e zezë mallkimi
Dashuria ime
gurrë e zjarr


"Rilindja", 1991





SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha

Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë

Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon

"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991




KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie



MOS

Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve

Mos i mallko yjet
Për brengat që ke

Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje

Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Mes gurit e tokës

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PËR ATË FJALË

Për atë fjalë
Që peshon sa bota
Kurorëzoje buzëqeshjen
Me një puthje të ëndërrt
E prishi krejt nyjet
Udhës sate
Fat të ri lidh
Bulëzim dashurishë

Thëllënze moj
E bukura e dheut

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PEMA E MIQËSISË

Frutat i ka te embëla
rritet në të gjitha stinët
nuk ka sëmundje që e zën
farë e saj mbinë çdo ditë
Planetin pushtuar e ka dashuria
Njeriu i Ri i Jetës që vjen


_________________________

K O M E N T E


PREND BUZHALA:
Nje cikel simpatik vargjesh, qe sjell perjetimet e bukura te vlerave njerezore: krijimit poetik, dashurise, atdhedashurise, miqesise... ku thenia poetike vjen e peprunuar, aspak e mbufatur...
Pergezime!

FRAN UKCAMA:
Nje sinteze moderne  emocioni dhe mendimesh filozofike, koncentrime si ajka e qumshtit te bletes, manifest ne stil artisti, gjuha si fara e zgjrdhun… Urime mik Haxhi!

 
YMER NURKA:
Me kish marre malli per vargje te tilla me peshe, ku fjala ka zene vend natyrshem dhe nuk luan vendit... Me ndjenje dhe art eshte zbukuruar ky cikel poetik. Urime mik!
 

XHELAL LUCA:
Pa zmadhim , një penë e florintë e ngjyer në koloritin e flladeve . Dhimjen e shpirtit e mjekon me polen atdheu , dhimjen e trupit , me mjaltë baroti . Në këngën e së djeshmes qartëson mesazhin e së nesermes , në amanetin e babës len testamentin e djalit , në fillin e ëndërrave mbijnë lulet e dëshirës në një pritje më të madhe se shekulli .Ne pikat kulmore takon paraardhësit :Naimin , Çajupin po dhe Migjenin aty ku ënderra është e pa mbarume .

 
MIKEL GOJANI:
Poezi te bukura te krijuesit Muhaxheri. Poezi qe dikur dilnin nga gualli i frymezimit te poetit. Vargu i Muhaxherit eshte nje varg ne kerkim te emrit, ne kerkim dheut, te ashtit arbenor. Vargu i tij, me plot natyreshmeri artistike dhe motivore ka qene pararendes i e se sotmes, i se nesermes.

 
NIKOLL  NDOK ULNDREAJ:
 ... nje cikel poezish te gjalla... brenda tyre ka shpirtin e poetit me flatra... qe flaturon ne qiellin poetik magjishem... lakmohet nga poetet... dhe joshe lexuesit... u jep knaqesi... ua embelton ndjenjat... Haxhi Muhaxheri brenda shpirtit ka universin e tij poetik dhe tabanin nga i nise poetikat e tij ne flaturime per tek lexuesi. E pergzoj per kete cikell poezishe te kendeshme.

 
SEVEME FETIQI:
Shume poezi te bukura dhe me plot vlere artistike.Poezia e mire,nuk lakohet ne kohe,as nuk e humb ngjyren as kuptimin.Mbetet poezi gjithmone.Falemnderit,mik i nderuar per kete kenaqesi te leximit!

 
MENTOR THAQI:
 Haxhi na vjen  me vargje (këshilla madhështore poetike) të një periudhe mbi 20 vjeçare që atëhere e sot ruajnë kontinuitetin e freskisë dhe madhështisë artistike! Së pari buron Gurrë Zjarr-i në shpirtin poetik, kërkon poetin (edhe veten e tij poaty), nëse diku e gjenë "të vdekur", rëndon ajo pyetja: Pse vdiç?!, për atë fjalë!!!, këto të gjitha në, për dhe rreth Kosovës! Një cikël që lidhet bukur si një Kapitull komplet i një Romani poetik, nëse mund ta quaj kështu pa i ngatërruar dallimet?! Paj, poeti na kënaq si gjithmonë me sihariçe artistike, kjo ishte kënaqësi radhe e realizuar shkelqyeshëm në kompaktësinë e vet artistike! Përgëzime në itinerarin tuaj artistik të begattë!



VAID HYZOTI:
Lirizem dhe gjetje.Lakonizem dhe mendim i ngjeshur. E c'duhet me shume per poezine?

GRIGOR JOVANI:
E kam thënë, që ti, baca Haxhi, je poet i dritës. Por edhe i dashurisë, shtoj tani. Në të gjithë prizmin e saj. Lum unë, që të kam mik!


IRFAN CANA:

Në poezitë e këtij cikli të mësipërm,qartë vërehet refleksioni i brendshëm i frymëzimit të rrallë poetik dhe ku ndjehet forca e ligjërimit dhe fjalës së shkruar që gjithmonë në jetë u ka shkaktuar poetëve vuajtje e telashe. Shihet se sa forcë vullkanike ka fjala e shkruar,cila është fuqia e mesazheve brenda krijuesit për t'i dhënë përgjigje konflikteve të kohës.



LUMO KOLLESHI:

Nje cikel me poezi dinjitoze qe e shperndan mjegullen qe duan te hedhin vitet.

Donnerstag, 6. September 2012

Grigor Jovani: BLU E THELLE


“Blu e thellë”

- 40 poezitë e Monemvasias së sivjetme -

BLU E THELLE

Kanë filluar shirat e fundgushtit,
shuan etjen rrënjët e ulinjve.
Drurët që gjer dje ngjanin të plakur,
veshën sot këmishat e të rinjve.
Zogjtë u sistemuan prapë ndër degë,
sikur s’qenë larguar prej shtëpive.
Përrenjtë gjetën rrugën për në det,
deti mori blunë e dashurive.



HISTORIA IME

... fillon kur prindërit e mi të shkrehur,
u dorëzuan në gjoks të njeri-tjetrit,
si pushkë të shuara.

E përfundon një prift, pak dhe i shkrifët
dhe temjani.
Të tjerat janë të shkruara.



POETI DHE DETI

Poeti s’mund të hesht. Nuk mund
ta kyçi detin në sirtare.
Ka frikë, kur zhytet, mos gjen fund
dhe i mbyten vjershat fare.
Por dhe kur hesht, poeti flet.
Prezenca e tij bën zhurmë.
Tek heshtja i gjëmon një det,
vargjet e mbushin shkumë.
Gjersa mposht heshtjen, më në fund,
dhe i tranden fjalët, si tërmeti.
Atëhere deti hesht. Nuk mund
të flasë ai, kur flet poeti.



KRISHTLINDJET

Kur u gjenda së pari me të dashurën time,
me kasollen e lindjes së Krishtit,
m’u shndërrua dhoma.

Kjo përrallë Krishtlindjesh,
nuk ka mbaruar akoma.



NINULLA

Më shtroni një krevat në mes të detit.
Të më përkundin valëzat dhe peshqit.
Ninulla të këndojnë erërat
e gushtit. Kështu,
rehatin tim të gjej.

Nëse më ngjitet në krevat
një nimfë deti,
di unë të flej.



QYTETI PREJ BETONI

Dhe u gjenda, kështu, në këtë qytet.
Tani e kaq kohë, brenda betonit rri.
Papritur, pashë se jam larguar shumë,
nga ajo ç’ka desha,
qysh i ri.

Ditëve këtu, nuk bie shi,
netëve të ngjan se rron në furrë.
Sa për mëngjeset... S’ka mëngjese,
ka ditë dhe netë,
pa zgjime kurrë.



ME BENE NJE PYETJE

- Jeni kirurg?
- Jo, ç’ne... thjesht vargje shkruaj,
që të them të drejtën, s’prekën kënd.
- Atëhere, kam të drejtë. Se, si i bëhet,
ta shkullësh zemrën, sa herë shkruan,
dhe ta vendosësh prapë në vënd?!



KANARINA

Çdo mëngjes, kur dal në ballkon,
gjithë kohës këndon, me këmbëngulje.
- Deriçkën s’ta hap! Lodhesh kot! – i them. -
Ç’karakter është ky? Se ke për ulje?

Pastaj vazhdoj: - Teatrin ç’e do? Veç nëse kujton,
se nga kjo diç del...

Më gënjeu dikur në kanarinë.
Herë tjetër s’e shkel.



PASDITJA NE ISHULL

Ky ishull është i trishtë pasdite.
Dielli u zhyt në det i dëshpëruar.
Ashtu i hutuar, nuk u tha përrallën,
fëmijëve që e prisnin zgjuar.
I ulur në verandë, pranë meje,
garsoni i dembelosur rri.
Poshtë në breg, ca të moshuar,
shëtisin heshtur, pa njeri.

Ky ishull është i trishtë pasdite,
veç në mëngjes ka gjallëri.



TORTURA

Mund t’ia harroja edhe puthjet,
ndonëse është torturë.

Aromën kurrë!



PERSERI PER NENEN

Sa herë dëgjonte çelësin tek porta,
si flakëz nga oxhaku hidhej.
- Je e marrë! - e qortonte babai. – Ç’pëson,
nuk më thua?

Ajo bënte sikur s’e dëgjonte. Pas mesnate,
priste mua.



“ADDIO” S’KEMI THENE AKOMA

Nuk kemi thënë “Addio!”, zemra ime.
Përtyp si çimçakiz vargjet e tua.
I ngatërroj me puthjet. Që të dyja,
si dreq i dua!

Përgjersa vargjet t’i përtyp, si puthjet,
gjersa “Addio!” s’kemi thënë akoma,
të ndarë nuk jemi,
ende jam tek priza.

Pres të më çosh të tjera çimçakiza.



RENDESA

Ditët dëng mbi ditët,
muajt përmbi muajt,
arka plot me vite
përmbi dhjetëvjeçarët.
Në fund fare, jetën,
e zënë të qarët.


MOT I KEQ NE PLAZH

Ra shi i madh gjithë ditën në plazh.
Me një fshesë të padukshme, erërat,
pasi sipërfaqen e detit lëpinë,
fshinë edhe xhamat e kujtesës sime.
Udhëtimet me traget janë me rrezik.
Të pamundura mbërritjet dhe kthimet.

U ftuan plazhistët të kenë më shumë kujdes,
mund të ndodhin natën, nga rreshjet,
rrëshqitje dheu në ëndrra.
Breshëri, ka mundësi, qoftë larg,
të më prishë krejt vreshtin,
që kam mbjellur tek zemra.

Nuk dëgjova dhe lajmet, se kur do të mbarojë,
ky mot i mbrapsht, që më qëlloi për pushime.
Për fat të keq, nuk japin llogari,
erërat e pabindura të zemrës sime.



PREMTIMET

Mos mbush tërë ato faqe me premtime.
Një det të tërë
me fjalë.

Kur do të thahet, s’do kesh ku të shkruash:
“S’i mbajta dot!
Më fal!”



KOPSHTI ZOOLOGJIK

Nuk duroi fatin e një poeti:
varfërinë,
vetminë,
shpirtin magjik.

Ia dorëzoi të parit që gjeti
dhe u fut
në Kopshtin Zoologjik.



HENA DHE LUMI

Hëna natën bisedon me lumin.
Pas mesnate ndjenë vetmi, të dy.
I thotë hëna: “S’di ku humba gjumin...”
Lumi murmurit: “E kam në sy...”

Lumi natën bisedon me hënën.
Janë miq për zemër, jo dashnorë.
Lumi rend drejt detit, si drejt nënës.
Hëna është jetime, ngjan e gjorë.



KAFEJA

Dashuria,
si kafeja.

Rufitja e parë,
gjithë hareja.



VARRI I PRINDERVE

Vij shpesh këtu. Shikoj të njëjtin film,
me copëza jete.
Aparat projektimi nuk marr,
aktet filmike i mbaj me vete.

Kaq afër vdekjes, frikën s’ia ka pasur.
Ajo e di: më ka marrë
ç’kisha më të dashur.



TE SHKRUASH VJERSHA

Që të shkruaja këtë vjershë,
sa mund harxhoi im atë,
duke më këshilluar.
E mira, nëna ime,
sa netë më priste zgjuar.
Tek dhëmbshuria e motrës,
sa të fshehta kam strehuar.
Sa xhelozira mbyti,
bashkëshortja e dashuruar.

Këto dhe shumë... Veç unë,
bëra atë që desha...

Ç’kujtove ti?
E lehtë të shkruash vjersha?



FEMRAT

Me femrat s’kisha kurrë sukses,
përfshirë këtu edhe rininë.

Tani që humba shpresën krejt,
më dashuruan poezinë.



PASHE NJE ENDER

Në fshatin tim të largët, poshtë qiparisave,
një gropë e hapur dhe përreth
ca hije me lopata.

-Ç’e zgjat! – më thonë. – Nuk i kemi qejf,
përshëndetjet e gjata!



DETI NE DIMER

Askush s’e merr me mend,
ç’heq deti në dimër,
për t’iu dhuruar njerëzve verën.
Kalëron dallgët, përleshet me ngricat,
për ta shpëtuar të tërën.
Vajzat, që zhvishen në plazh,
duke shpallur në konkurs bukurie veten,
nuk e dinë: të bëhet nektari mjaltë,
bleta mbretëreshë sakrifikon vetveten.
Kështu ngjan me detin. Ai e di,
çdo të thotë të sakrifikosh kaq muaj,
për të sjellë në sezonin e ri,
verën e ngrohtë,
mbi tre kuaj.



AJO

Buzët e saj -
burime të kristalta uji,
pi dhe s’ngopesh.
Flokët -
shelgje të varura në lumë,
shtrihesh poshtë dhe shlodhesh.
Vetëm duart... Të lidhura në gjoks -
gardh me gjëmba.
Bëra të këpus një manaferrë,
u shpova në gisht dhe u tremba.



JETA

Edhe ato që m’i ka dhënë,
m’i merr një nga një.
“Nuk i ke paguar!”, thotë.

Më mbeti në portë.



ARRATISJA

Sa herë dua të arratisem,
ngjan errësira burg i zi,
qenër roje – yjet.

Hëna,
prozhektor gjigand,
kreh lëndinat edhe pyjet.

Ëndërroj kaq kohë liri,
veç asnjë mësim
s’kam nxënë:

për t’u arratisur s’bën
natë me yje
dhe me hënë.



TE STREHOSH DETIN

Kur ti fle, deti nuk gjen qetësi,
në katakombet e thellësisë së vet.
Ta kuptosh, s’mjafton të jesh njeri,
duhet të ndjehesh det.

Po të mundësh, hap një vjershë dhe ti,
t’i strehosh netëve psherëtimat.
Unë s’e bëj. Flej në rehati.
Të strehosh detin është për trimat.



TRENDAFILA DASHURIE

Më kujtohet kur njoha dashurinë:
shkoja në shkollë, më priste në oborr,
mbante një trëndafil me bulëza vese.
Dashuria e parë:
një shikim në mëngjese.
Pastaj e humba. E pashë përsëri,
me ca sy rrezeartë, prej dielli.
Ishte rritur. Po ashtu edhe unë.
Të dy -
një trëndafil që arrinte tek dielli.
Tani e takoj përditë dashurinë,
tek ujis kopshtin tonë, çdo agim.
Kur nxitoj, i lë këtë meshazh:
“Ti fle...
Trëndafilat i ujita unë, shpirti im”.



QIELLI ESHTE PER JU

Qielli është për ju, shqiponja,
që nëpër re
mbërrtheni gishtërinjtë.

Përndryshe,
do të fluturonin gjarpërinjtë.



SHTEPIA

S’ma merrte mendja,
se do të bëhesha kaq shpejt,
si... “i shtëpisë”.
Mendoja: “Herët është....”
S’kish rëndësi,
që aq shumë e desha....
Por u kthye në krah,
pasi kishim bërë dashuri,
u ndjeva i qetë,
mendova vjersha.



KOPSHTI NE MENGJES

Të parat rreze ranë mbi pemët,
aty në kopsht,
u bënë shilarëse.

U thyen degët më të njoma.
I mblodhi nata në përparëse.



TE HUMBURIT

Babai u vonua,
si përhera.
Nëna i kishte sytë
tek dera.
Im bir kërkoi përrallë,
përpara se të flinte.

Ç’desh të më dilte
gjumi,
kur e dinte?



KLINIKISHT I SEMURE

Do të kthehesh prapë, por unë s’do jem.
Do ndalësh vrapin në klinikë.
Do bësh ca zhurmë, dhuratat duke lënë.
I mbyllur në vetmi, do ndjej pak frikë.
Do të të lutem heshtaz të më lësh,
përndryshe, do më fikësh.
Ndjehem më mirë, kur pres të vish,
se sa kur vjen dhe s’di të ikësh.



DJEMTE QE ERDHEN NGA FSHATI

Ne, djemve, që kemi ardhur nga fshati,
nuk na ngjitet qyteti.

Tani jetojmë brenda një pylli betoni,
shëtisim në asfalt, mbi katër rrota.
Na merr malli për hënën, hapim birra
dhe na shfaqet ajo nëpër gota.
Dikur, tavan të shtëpisë kishim qiellin,
në arat me bostan numëronim yjet,
na përkëdhelnin në gjumë lulëkuqet,
laheshim përrenjve, që zbrisnin nga pyjet.

Jetojmë detyrimisht në qytet.
Por fshati
vë hënën përnatë dhe na flet.



NETET E MBETURA

Po dashuria?

Mos fol gjepura.
E humbëm, gabimisht,
me rrobat e hedhura.

Tani thjesht më duro.
Më fto në shtrat, ku e ku,
në netët e mbetura.



FOTOGRAFI TE ÇASTIT

S’janë poezi këto që kam shkruar,
janë fotografi të çastit,
të shpirtit tim të transformuar
në forma të ndyshme,
sipas rastit.



BEHEM I MARRE

Nuk kam më moshë për dashuri,
tani s’u ngjaj njëzetëvjeçarëve.

Por nganjëherë bëhem i ri,
përftoj zakonet e të marrëve.



SHETGTIM

Në një ballkon të mbaj mend,
me ato sy fluturakë, tërë frikë.
Fjalë zogjsh të lëshoja në erë,
harroheshin mbi telat elekktrikë.
Të ndiqja në rrugët e qytetit të ri.
Të rinj qemë dhe ne, të pafluturuar.
Një shtegtim nuk ta dhurova dot,
mbetëm përrallë e papërfunduar.
Kur qemë të harruar kaq vjet,
pashë ato sy, që s’i ndesha askund.
Nga e para do të të ndjek përsëri,
t’i gjejmë përrallës një fund.



FAT I MBRAPSHTE

Më varrosën ditën. Natën
mënjanova dheun
dhe gurët e vëna.

Gjithmonë kam qenë ters.
Gjëja e parë që pashë
ishte hëna.



FUNDI I GUSHTIT

Në fyt më mbetet fundi i gushtit,
kur plazhi gjysmëboshatiset.
Më ngjan ky ishull krejt i shkretë,
si tokë, ku epidemia niset.
Si ta durosh javën e fundit,
brigjet dhe detin gjithë trishtim?
Prapë mirë që kemi celularët,
fiksuam çastet me gëzim.

GRIGOR JOVANI
Monemvasia, gusht 2012