Donnerstag, 27. September 2012

Dy poezi nga Mihallaq Qilleri


KUR TË ZGJOHESH..


Kur të zgjohesh ti unë nuk do jem më pranë shtratit tënd.

Në të vërtetë nuk kam fjetur me ty, as me ëndrrat e tua.

Por dje, po, pikërisht dje, ne folëm për dashurinë e frikshme

E cila mbin në trungjet e vjetër të jetës njerëzore.

Dhe thamë se çudia vjen nga natyra dhe egoizmi i saj.


Kur të zgjohesh ti, thjesht kam nisur unë ëndërrimin,

Flokët e shpupuritur, sytë e përgjumur, buzët e shtrënguara,

Habia e realitetit të ndryshëm, aq të hidhur sa mospasja,

Zhgënjimi i së vërtetës së shuar për një çast të turbullt,

Nuk të tresin aspak dëshirat e për ta ndjerë veten qenie njerëzore.


Kur të zgjohesh ti unë do ta ndjej këmishën farfuritëse, të zhubrosur,

Format e natës rrëfejnë magjinë duke rendur mes këmbëve dhe gjoksit,

Dëshirën për ta pasur botën tënde të humbur përsëri timen..


Kur të zgjohesh dua të më shkruash, gjatë, shumë gjatë,

Se si vërtiteshim të dy në qiejt e asgjësë frojdiane,

Puthjet të rreme, dëshirat për dashuri të pamundura,

Fjalë, fjalë pa kuptim që shpesh nuk dëgjoheshin shkoqur,

Ankthi i tretjes dhe shpërdorimit të kohës pa dimension,

Për ne banorët e së pamundurës, të shpellave prehistorike,

Si stalaktitet e stalagmitet që vazhdimisht pikojnë,

E rritin njeri-tjetrin deri në shekujt e bashkimit,

Ishin të gjitha pjella të një bote ireale të shpupuritur.


Kur të zgjohesh ti, bota me siguri do të jetë ndryshe..

Sepse unë do kem hyrë tashmë në sytë e tu të mrekullueshëm.








NJË ÇAST I DHIMBSHËM..


Ne jemi dy anët e të njëjtit shpirt të ndërlikuar,

Ne gjendemi përballë njeri-tjetrit në planetin e panjohur

Ne jemi duke vështruar tokën e shkelur të humbjes,

Ne përpijmë mendimet e së shkuarës së trishtuar,

Ne jemi dy në anët e së njëjtës zemër të gjakosur.


Në këtë çast të dhimbjes ne jemi bashkë, çuditërisht,

Sikundër asnjëherë nuk e patëm menduar,

Në një çast të kohës, të së djeshmes kohë, them.-

Kishim harruar se ka edhe një segment të së ardhmes,-

Kishim harruar se kemi qenë krejt të ndryshëm..


Mes nesh ka mbetur vetëm hiri i flakës që na ngrohte dikur,

Veç, as tek unë, as tek ti, nuk kishte mundur të përvëlonte.

Ne jemi dy të vërteta, të vyshkura, të mjera, të tretura,

Në arkëmortin e bukurisë, dashurisë dhe shpirtit,

Në ikjen e përtejme, të pakthyeshme të së bukurës.


Ne nuk rrojmë më, në të vërtetë, pas kësaj humbjeje..

Ne e shformuam përmasën e kujtimit, po jo dhimbjen..

Nën këmbëve tona hapet një gropë e thellë, e natyrshme..

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen