Dienstag, 11. Februar 2014
Rrahim Sadiku - Poezi
SHQIPTARI
Kur lind qanë shqip,
Midis mijëra dhembjesh e etjesh
Fjalët e para i dëgjon shqip
Këngën e nënës
Bisedat me shokë
Shqip e thotë bukë e kripë
Shqip ia thotë kur ulet mbi gurë
Shqip i flet fjalët e dashurisë
Edhe lotët i rrjedhin shqip
I lumi unë – thotë shqip
Shqip ankohet “Oh kuku nënë”,
Me hallet e jetës shqip përballet
Shqip edhe plaket...
Shqip edhe vdes...
Të vdekur duan ta ndajnë nga gjuha e nënës
Kur mbi varr i këndojnë arabisht greqisht!!!?
EJA
Eja eja eja
Koha të bëhet ne...
E jona bëhet bota
Për një kohë
Për të gjitha kohët
NËSE
Nëse një ditë vjen e nuk shkon
Bota e dashurisë na merr brenda
I gjithë universi bëhet unë e ti
GJAKOSJE E ZEMRËS
Njerëzore është ndoshta
të vdesësh përditë
të qeshesh me lumturi të rrejshme
ta mbulosh me fjalë
gjakosjen e zemrës
copë-cop kur e ke shpirtin
lartësive të të shohin
e ti shtatë pash nën tokë
përpëlitur dhembjesh
tehave të shpatave duke mbrojtur zemrën
shigjetave helmuese duke u ikur
për të besuar se ndoshta
ndoshta je vetëvetja....
KOHËT
Vjen një kohë
e të gjitha kohëve
pa fund e fillim
shkon një kohë
koha jonë...
pastaj e kuptojmë
me hapin e saj
mund të kishim ecur edhe ne....
PËRRALLË PËRJETËSIE
Më shikoi e tha:
nuk vdesin gjithë të vdekurit...
nuk jetojnë gjithë të gjallët,
bashkon të gjallë e të vdekur
jeta....
RRETH UTOPIE
Doja
të më doje
si të doja.
Doje
të të doja
si doje.
Donim
të dashuronim
si nuk kishte dashur kush deri atëherë
mbi këtë dhe...
Por
vetëm dëshirat nuk ishin dashuri..,
DILEMA
Jeta tha: mirë!
jetes i thashë: shumë mirë!
Vallë mirë e shumë mirë a ishin jetë?!
DHEMBJE
As fill as fund kujtimesh gjen
me vetminë tënde të madhe shtyhesh tutje
mos ta paqa borxh
si duron
duke kujtuar se fluturon e lirë
në vetminë pa fund
NATË E VONË
Iku e erdhi
erdhi e iku
gjëmoi pa e ndjerë kush
pos hoveve të mia të zemrës
dhe mallit që dogji terrin
FILL
Loti ishte tharë
fjala ishte ndalur
me mua
vetëm vetmia...
Qielli i dhembjeve
hapej mrekullisht
thahej pështyma
mbështillte bryma
e gjitha bëhej edhe më vetmi
PLATONIKE
Dhembje e beftë,
një ndejnë magjike,
as gjumë as zgjuar...
një etje...
krejt harruar...
duke besuar se tutje priste shpresa
KOHË
Vjen e shkon tehut të shpatës
e shohim ditës
i hapet natës
dhembjen mbjell
na herr
e largët mbetet edhe në afërsi
e pakuptueshme deri në pafundësi
NGACMIMI
Më ngacmon pamja jote
fjala jote me drithëron
shpresa në ata sy
besimi në atë zemër
më ngacmon
ngacmon
nuk kam si të përgjigjem
jemi shumë larg
për të qenë afër
ngacmon
dhe pamja jote ngulitet në mua
tashmë nuk e di
në është etje fanitje apo fat...
SHËTI
E pashë kaltërsinë
Kuptimin e të pakuptueshmës sikur kapa me dorë,
një mal pak më tutje
shkrehu botën e pasurive
varfëria ime e madhe doli në pah
mëkot u lodha
pafati nuk mashtrohet
FTESË PËR TË PAGJUMËT
Dhe ftoj të gjithë të pagjumët
të zgjohen
me pagjumësi nuk e mashtrojnë moshën
ftoj të gjithë të pagjumët
të mos lodhen për lodhjen
ashtu mjaft lodhen me jetën
NJË EMËR
Ajo brishtësi
Ajo pafajësi,
Ajo mrekulli
Ajo qeshje gurrë
Ajo doçkë urë
Ajo mirësi
E kanë një emër:
Fëmijë
Abonnieren
Posts (Atom)