Samstag, 27. April 2013

Gonxhe Letmi Begisholli: Poezi


Gonxhe Letmi Begisholli

ANATOMIA E FLAMURIT

Ngjyrë lëng damari
përsiatje n´kohë katrani
Kur operonin "gjarpërinjtë e gjakut"
Edhe në themelet e kullës
n´Abetaren e shkollës
n´agun e Aurorës
për shtizë u murosëm.
Me 28 Nëntor...
të vitit shëmtak
Në Dibrën krenare
Vizatimin e parë
ballë oxhaku
në murin e bardhë
skicova Flamurin
me ngjyrëzhibël Shqiponjën
për Flamur një dozë gjak
nga delli i Gjyshit
Anatomi Flamuri
Prej gjenit të fisit!




TOKA IME

Sonte,toka ime qep plasaritjen me lotin
më fal ajrin e fëmijërisë
në lagje,avli aromë për motin
në trollin e trimërisë.

Sonte,...po sonte
shkriva mallin që barta me vete
në metropolet shumëngjyrëshe
sa prehem, në tokën e stërgjyshëve!




ÇAMERI, TOKE E BEKUAR

Në muajin e mjaltit siç i thonë
tesha Prevezë,Lefkadë,gaz e lot
rizgjohen kujtimet përrallore
tokë e bekuar-Camëria,gjëmon!
Unë arvanitase,lind jam n´Camëri
të preka plagën,me mallin e zjarrtë
flokun ngjyrë gështenjë,arom´Arbëri
folëm,qamë e qeshëm,deri në mesnatë!
Bukurinë e zgjimit urova me lot n´sy
tabllot e vuajtjes shpalos historia
për tokën tonë,digjem mbyllë në dry
fjalën shqipe,përkëdhel sot breznia!
Camëri,...o Tokë e bekuar
fis as gjen s´ska për të harruar!





DIBRA HISTORIKE

Dibra,etni n`atlas
histori djepi
Kullë, Besë burri!

Pushka dibrane
tërmete barbare

dell Kastrioti për oxhak
N`palë flamuri pikon gjak.

Gjergj Dibrani frymon thellë
Kullat tona kanë themel...

Dibra e Madhe mbi rrasa guri
majë Kalasë shndrite Flamuri!
me plis të bardhë e tirq burri!




TOKA IME

Sonte,toka ime qep plasaritjen me lotin
më fal ajrin e fëmijërisë
në lagje,avli aromë për motin
në trollin e trimërisë.

Sonte,...po sonte
shkriva mallin që barta me vete
në metropolet shumëngjyrëshe
sa prehem, në tokën e stërgjyshëve!




LUTJA SHQIP NE MERGIM
 
Nënë të lutem shumë
në shtëpi shqip dua të flasish me mua
edhe pse në mërgim jam lindur
unë jam gjak shqiptari
a mos ke harruar?
dua ne shkollë shqipe të shkoj
historin etnis të mësoj
do dëshmoj gjenin e gjakut nga vij
shkronjat e Manastirit ruaj në gji
të qëndisë të shenjten SHQIPERI
pastër dua shqip të flasë
me shoqe shqip të lozë e bërtas
Tokës sime t`i bëjë vizitë
n`prehër të gjysheve kërkoj rritë
s`dua të mbetem si hutini
në ket Dhe të huaj...O Nënë
po se fola gjuhen e mëmës
do më marrin nëpër këmbë!
M`përkëdhel Nënë,me shqipen prore
për jetë të jetës,ti ngel fajtore...!




AI DHE ATA

Rrugicat e qytetit
njohin
fytyrëzbehtin
planguriturin
me supin e thyer!
të pashëm ka veç nurin!

Ata,...
njihen me dolli
kokë më kokë
llafosen
zgërdhihen pa kufi
ditën varrojnë
natën këndojnë

Ai dhe Ata
Muri kinez ndan

Jetë  gravon vesa
e fundit vdes shpresa.

Jusuf Gërvalla: Poezi

 
Jusuf GËRVALLA

U MËSOVA TË DUA

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po cirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën
Aii dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.



TASH PO NISEMI

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.




DO TË KTHEHEM NËNË

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin sokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrej shtëpinë.

Beqir Musliu: Poezi


HAMAMI I GAZI MEHMET PASHËS

Një dorë e padukshme më shoqëroi
Nëpër honet e bukurisë së fshehtë Tha
Ky është Hamami i Gazi Mehmet Pashës
Mund të hysh Mund të dalësh Mund të hysg
Të mos dalësh Të mos hysh Të mos dalësh
Kurrë Dora m'u ngri Nuk dija Cila ishte
Ajo dorë Ajo që më shoqëroi deri këtu
Apo dora ime Përse gjithë ajo ftohtësi
Kur aty janë larë zonjat më të bukura
Të Prizrenit që ende dëgjohet shushurima
E tyre dhe dihatjet deri në epshin e shfrenuar
Hamami është fshehur nën klepsidër
E Ç'bëri Gazi Mehmet Pasha në Hamamin e tij
Pa ëndërr se aty fshihej vdekja Aq e bukur
Në trajtën e një vashe të hyjnueshme Ishte
Larë me të Ç'ndodhi pastaj Në vend
Të këmishës së natës kishte veshur qefinin
Ishte kthyer në botën tjetër për t'i përkujtuar
Të gjitha ato që s'i përjetoi në këtë botë
Vdiq nga bukuria

Ç' Hamam i çuditshëm Këtu fshehtësia
Ndryn diçka të tmerrshme që s' mund të fshihet
As të thuhet me fjalë

Laju në këtë Hamam dhe dil i pastër në botë
Aty të pret Gazi Mehemet Pasha Që emër la
Këtu Që ta përkujtojmë me aq fshetësi
Ashtu siç na pret ky Hamam Eu
Gazi Mehmet Pasha Eu



MBASLOJA E PRIZRENIT

Unë jam në Prizren edhe kur s'jam në të
Ti më merr dhe m'i zhvesh rrobat The Të jesh
I pastër ma rregullon grimin dhe krejt atë
Që shkon me të Prizreni më mbeti matanë Them
Më kthejnë sërish aty ku isha Prizren Unë
Jam Ai Që (S) Jam Kur Jam Prizreni Imzot
Nga dora ime krijuan një statujë antike
Më lanë në Muzeum që e pushtonte qetësia Thanë
Këtu çdo gjë që (s) ishte Lojë vazhdon të jetë
Si diçka që shekujt e sfiduan nëpërmjet teje
Zbrit më poshtë Ja Ku Jam Në Prizren
Aty më ke edhe mua A nuk të thashë se unë jam Ai
Që (S) Jam Mund të më ngatërrosh me engjëllin tënd
Tekanjoz që shëtit në vend teje nëpër muret
E qetësisë Kërkon një afreskë që të gjason ty
Të mund të të shenjtërojë në mënyrën e vet
Vishni rrobat e mia të vjetëruara Dua ta shijojë
Bukurinë ashtu siç është Loja mbaroi
Edhe për një milienum të heshtjes Ajo që po
Ndodhë këtu është vetëm një variant i saj
Që njëherë ka ndodhur Ç' u bë Prizreni
Ai është në mua Thashë Prizreni

( Prizren, 11 janar 1986)

Musa Ramadani: Poezi

 
MUSA RAMADANI

KËSHILLA MIKUT TIM

Mik
Shtëpitë tona si gota cakrrohen
Gjerdhe as dyer përmes s’kmi bërë

Dielli
Udhën deri te ne kur e gjen
Gëzim kuj më tepër i bjen

Ty apo mua ?

Mik
Livadhet tona si dashnorë puthen
Gurë a mexhde askund s’ kemi vënë

Shiu
Sixhim teposhtë kur ligron
N’cilin më shumë fryt lëshon:

N’tëndin apo timin?

Atëbotë
Kujtohu mirë lum miku im
Përse prore më bën të druaj?

Se për dallim o dredhim
Koha kaherë ka kaluar




JO, FAQET E PARA TË GAZETAVE S’ I LEXOJ

Brenga mendjen n’ marimangë ma pështolli
Tmerri zemrën n’ fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurr më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mordje kurrë t’mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më !

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do e kenë shëruar



 NJERIU KA NJË KOKË NJË JETË NJË DASHURI

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij !

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij !

Njeriu ka një dashuri
Fjalë ( vallë) e tepërt n’histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motive

Mos luani kurrë me dashurinë e tij !




VETËM NËNA VETËM


(Letër Nënë Symbyles që s’do t’i arrijë kurrë)

Jam imunizuar i tëri kundër harresës
Gjurmët e kujtimit s’mund t’m’i fshijë kurrë

“Atë ditë që shohim nënën të vdekur, fillon pleqëria”
- Aforizmën e një mençuraku veç ma rikujtoi
Vesa e papandehur në globin tim të gjallë


Jeta më mësoi të kuptoj mijëra shikime
E shikimi Yt i mbramë enigmë më mbeti

Nënë

Vetëm në ndarjene memece fare s’kam besuar !

Ato ditë befas sytë e mi shterruan, më fal
Dhembja m’ishte peshë më e rëndë se loti

E dije se shkrova vjersha e libra mbi mëkate
Në asnjë varg tëë lirë s’Të zura ngoje dot
Jeta Jote jeta ishte vargu më i bukur imi

Në bregun e fashës Ti më s’i ndien këto fjalë
As vajet që tërë jetës sime do të rigojë

Por...kundër harresës jam imunizuar i tëri
Kurrë s’mund t’m’i fshijë gjurmët e kujtimit

( Prishtinë, shkurt – mars, 1973)
 


 TËHUAJËSIMI

Mësyva për të satën herë këtë qytet
Pa ëndrralla e gjakime
Sall t’shkëmbej ndonjë fjalë me miq
T’ia uroj ndokuj martesën
T’ia përgëzoj familjen ndoshta
Ngushëllime t’i shpreh ndokuj
Po shokët luftonin me brengat dëgjova
Miqtë ishin dalldisur në pontë e poker
Të tjerët me se merreshin as që pyeta
U kujtova: mujat ishin ndërruar në kalendar
Dhe vitet pritnin të shumëzohen ndër vete
Në bujtinë udhëtarësh të rastit ktheva
Duke darkuar me vetveten në qindra pjesë
Njëri plot domethënie më shikoi e shikoi
Si një ardhës që befas sjell fatkeqësi
Tjetri vërente ashtu plot dhembshuri
Se si vetëluftoja pa mëshirë në vetmi
Portirit i kërkova dhomë me një shtrat
Duke thënë: do punoj, pa treguar frikën
Në qytetin e lindjes në qytetin tim
Dyer që happen oda që grishin s’kish

Atëherë në dhomën (më duket) numër 209
Ndieva se sa i rëndë qenka tëhuajësimi




MIQTË E MI MEMECË


 Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë
Të vegjël, të mëdhenj, të ëhollë, të trashë
Të bardhë, të zez, të kuq, të verdhë
Dërdëllis me ta netve si me vetminë
Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë
Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira
Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien
Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time
Qëndrojnë heshturazi ndanë murit më vështrojnë
Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti
Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat
Zemrat u janë të hapura për shpalim
Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi
Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim
Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht
Në ndërrim motesh me tat ë vdekur a të gjallë –
Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

Bah, as miqtë memecë s’janë ngushllimtarë të mirë !



 MIQTË DHE HIJET E TYRE

Në cilën stinë vallë të marrësh udhë
Çfarë rruge dredhore të ndjekësh
Ku të ndalesh për pushim e një pikë ujë
Cili bisht gjarpri të zvarritet deri në krye
Kur të nisesh me njatë të verbtin besim
Është mirë të ndalet ora në fillim të shtegut
Busullën gjithsesi ta harrosh me qëllim
Natën të ecësh sin ë lojën symbyllurazi
Armën ta varësh në mur për kujtim
Fjalët t’i ruash deri në takim
Heshtjen ta bartësh si mëkatin deri në shpinë
Sytë të mos i ndërsesh si qentë e zgjidhur
Këmbët të mos i urdhërosh si ushtarë të gjorë
Duart t’i shtrish me shuplaka kthyer teposhtë
Kokën ta ngresh lart si krushku në dasmë
E në trastëne zbrazët kraheqafë të marrësh
Një libër të vogël për ta dëftuar kthimin

Se në vend të miqve të ardhëshëm e të rinj
Ngjet të tëp resin vetëm hijet e tyre



HISTORIA E PIKËS SIME

S’para unë s’isha veçse një pikë
Më pas u mërzita e u bëra presje
Aventura filloi brenda gjysmëharku
Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka
Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri
Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll
Gjysmë shekulli isha një zero e madhe
Në fillim të këtij mileniumi të tretë
Droj në mos do kthehem sërish nënjë pikë

( Më 30.8.1993)



 AS I MBYS TË DASHURIT E MI AS I NGJALLË

Njeriu e koha shpalojnë misteret
Mistike mbetet vetëm vdekja mistike

Ç’të bëj me një jetë e njëmijë vdekje
S’mund t’ju ngjall nga mjegulla
Pas katërmijë e pesëqind vjetësh
Si gilgameshi i lashtë e mitik
Mundtë provoj e të gjej ndonjë barishte
Kundër pavdeksisë ose amshimit
Por droj nëse në udhëkryqet e botës
Do të has papritmas ndonjë pasardhëse
Të nimfave sikundër ajo Sabita e urtë
Që të vërtetojë kotësinë e gjurmimit

Nuk dua t’i ngjall përsëri nuk dua
As t’i mbys nuk dua dot t’i mbys
Të dashurit e botës nga mjegulla

Misteret i shpalojnë njeriu e koha
Vetëm vdekja mbetet mistike vdekja

Vetëm vdekja nuk gënjrn në botë
Ligjëron nga përvoja Sadek Hedajati

(26.9.1979)

 

 POETIT TË AMSHIMIT
(Mikut, Beqir Musliut)

Kurdo që rrinim unë e ti, denim dhe të heshtnim
Nëse fjalët humbnin kuptimet, heshtja ua kthente

Më 24 qershor se si më humbe krejt papandehurazi
Në mos je fshehur diku siç e kishe shprehi dikur
Dhe do të gjendemi befasisht nëpër muzikën e sferave

Unë s’e mohoj vdekjen veçse edhe ringjalljes i besoj
Më humbe enkas hapësirave mistike e shumëpërmasore
Por edhe përtej “Librit të anatemave” do të të kërkoj

Ti do të më shfaqesh si një surprizë në pa(n)kohësi
Që sërishmi ta vazhdojmë në duet atë farë heshturime

( Ulqin, 27 qershor, 1996)

Bujar Salihu: Poezi


BUJAR SALIHU

TRILOGJIA E NJË ANKTHI

1. NAISUS

Aty nisi diçka e keqe dhe pastaj e keqja u rrokullis tatëpjetë
Naisus thanë dhe ikën, mbeti Nishi
U shkund rënd e keq deri në jugun e vet kobzi
Tre lumenj ndërruan kahet dhe historia u shkrua keq
Naisus mbeti nisje e përdhunshme, rënie e Mollës së Kuqe
Ëndërr e atyre që s’u kthyen më…

2. SHKUPI

Ti ke mundur edhe të pushkatoheshe nga llahtaria
Qytet i bardhë mbështjellë në të zezë morgu, sfinë vetëtima
Po emri yt s’ka mundur të prehet me të rëna shpate
Mbi Urën e Shenjtë dënesje trëndafilash dhe Vardari përlotshëm ngrin
Shemben gurët, kupola bie, unazë e kobshme kurora jote
Sa larg të kam sonte, dridhur lexoj pagëzimin e huaj
Mos lë o Zot që Shkupi të na bëhet Naisus



3. MITROVICA

Të ruajnë ushtri të huaja dhe ushtri të huaja të ndajnë
Edhe këtu një urë që e shenjtë nuk është
Një lum që përpin fëmijët, dhe si gjarpër në qafë na shtrëngon
Një gjarpër që përçartur varret dhe nëntokën ha
Diell i përmbysur, liria varg i përhirtë
Gdhendur trishtimit, me njërin sy s’po të shohë më… Mitrovicë!!!



ËNDRRA PËR ITAKËN

Po të shkruaj për natën e përmbysur nga yjet
Peizazhin e këputur si degëz ulliri
Edhe ca shenja të harruara që po më rishfaqen
Si në një ëndërr të operuar
Vetëtima e vetmisë po bie si terr i kalbur
Ca trëndafila në një udhë të huaj
Nesër e dua Itakën time, varrin mbi Itakë e dua



SHI BIE MBI EMRIN TIM

Të enjten rrokulliset vdekja, pastaj pushkatohet edhe një poet
Qafës së klithjes cengë lëkurash merimangë e shtatë fytyrës
Varrit të enciklopedisë hedhim krip dhe guralecë, ecim pa rrëshqit
Magjia e kafshimit prapë mallkim për portretin e verdhë

Dhelpra dhe dhëmb të palarë, zi si koha dje më kafshojnë
Vegime të fjetura, mashtrim apo ëndërr e huaj
Imazh nga po ai burg, arkivol rrudhash, thinjash dhe mërzi
Stoliset nisja jote e vonë, hija e zezë dhe prapë je ti

Pezull, çast litari, sy të përshpirtshëm teh vetëtime
Kur e keni parë të thyer qiellin pse jeni ndier mirë
Nuk e di si keni mundur të putheni gojë më gojë
Në darken e të shtatëve vishnit lëkura të huaja pa faj

Thatë është në këtë moçalishte harrimi të pistë
Ju shaheni sa herë ju është kujtuar emri juaj
Sipër mbrëmjesh terri nuk di kush rron
Shi bie mbi emrin tim, pastaj shqiptohet një dënim…



TË KESH ATDHEUN TËND
(Babës plak në ditën e 17-të të muajit shkurt)

Të shihja vrimës së vogël si nga fundi i një oqeani të trazuar
Të shihja ëndërr dhe në mëngjes nuk dija ta tregoja
Ëndrrën që kisha parë
Fotomorganë, përfytyrimi im për Atdheun

Prisja të binte shi të më shkrinte kurorën e akullt si qefin
Të vinin flutura Atlantiku, për t’i dhënë shpirt qytetit tonë tufan
Të shfaqeshin engjëjt, litarin nga qafa të na e zgjidhnin
Ëndrra ime e bardhë mbështjellë me të zezën shami...

Pëshpërima e luleve të hekurta, valle e ngrirë mbi pullaz
Prapë etja, nesër mund t’ua gjejmë domethëniet betejave
Mbrojtja e Atdheut shenjë e mirë për kalimin në kohë tjetër
Natës së madhe të triumfit, s’mundnim pa pëshpëritur emrin tënd

Baba Plak qante si fëmijë pa mundur të pyes
Në ja kemi zhveshur magjinë e përplumbtë Atdheut
Urdhëroi edhe një herë t’i numërojmë varret, të shfletojmë historinë
Nesër vjen e diela, drita e Zotit në anën tonë...



KËNGA E SHTATË PËR QIELLIN

Nesër mund të më gjesh në vetminë e ngufatur nga hija
Aty si gjithmonë jam ulur pranë njerëzve të huaj, në përpjekje për të përbirë fluide vreri
Si zakonisht në stinën time mund të fluturoj pa pyetur askënd
Po ti eja sepse edhe nesër nuk do të fluturoj,
Se vetëm edhe nesër pa atdhe jam...

Nesër mund të bëhet vonë, prandaj po nisem sot, sot ti mos eja
Ne vetëm një pikë të huaj, si kërthizë të lidhur ëndrre kemi
Në qoftë udha ime natë, unë vijë me kalin e bardhë,
Hirësi, nesër fillon ringjallja
E nesërmja fillon fiks në orën pesë e dy minuta, kur edhe lind dielli

Sa mirë është të kesh Atdheun tënd, dhe një diell që lind ekzakt
Sa shumë na ka dashur robëria dhe prapë të lirë jemi, shpirti yt ndjesë pastë
O Faik Konica...



VETËTIMAT E NJË QYTETI

Këtu, qyteti përvajet nga vetëtimat e ndezura të rrethimit
Kur nga vetja ka hequr zinxhirë të mërzitshëm të imazhit mort
Për të devotshmen, ka klithur si fëmijë i braktisur hakmarrjesh
Me flokë gjarpri ka lidhur vdekjen fizike

Vrimave të zërit e diela kryq arrestesh e bardhë s'është këtu Thonj fantazmash gërvishtin fytyrën e guximit të Ikonës
Sy të plumbtë vjedhin Thesarin nacional të kristaleve
Tymi kollitet, muzika e shurdhër dhe një ujë i turbullt me maskë

Në këtë qytet ashti i hekurt i një perandori turpshëm kalbet
Lëkundjet e purpurta të lumturisë, fatamorganë buzëqeshjesh janë
Këmbë muzgjesh shkelin si shtrëngatë mbi tempullin e hyjnive
E flatra qyqesh puthin sarkofagun e mbyllur të Apolonit

Askush nuk ngopet me shijen e bukur të lavdisë
Duar meskine shtrëngojnë gjinjtë e shtrydhura të stinës
Këtu, çdo ditë gurgullojnë fjalime lidhvdekur gjelash
E askujt nuk i shkon në mendje se e shtata biblike është...



RROTULLIM

Në fundin e parë të rrotullimit tim Rreth boshtit tënd isha zog i plagosur lehtë
Në fillimin e rrotullimit të fundit Me lëvizje somnambulë U bëra autor i vetëplagosjes së rëndë
Në fundin e rrotullimit të fundit Jashtë gjendjes somnambulë U bëra autor i vetëvrasjes së parë
Tani pas çdo rrotullimi Fillon një rrotullim i ri Më shumë se somnambul, më pak se jetë
Më pak se jetë Mund të (mos) jetë jetë



NDODH

Po të mos ndodhte
kështu si ndodhi
sigurisht
se do të ndodhte ndryshe
Ndryshe do të ndodhte
sikur të mos ndodhte
kështu si ndodhi
Ndodh të ndodhë kështu apo ashtu



ANATOMIA E KËRKIMIT

(Tim atit)
Kam shëtitur qiellin
Yje yje yje
Vetëm ty nuk të kam parë
Ti paske ikur diku, larg në planetin blu,
Pa përfunduar shënimin për aritmetikën e etjes
Matjen matematike të frymëmarrjes së dheut
E paske shtruar si ekuacion me vetëm një të panjohur,
Po nuk shtrohet udhëtimi jetësor brenda një kuadrati
Mbyllur në plagën e teorisë algjebrike të dritës
Në fushë shahu me mbretëreshë të zënë rob
Kuajt kah i ke nisur Ati im



HIMN PËR KËNETËN

Kur t'i nxjerrim këmbët nga balta
Shpirti i thur himnin kënetës
Në mrizin e hijeve na zë gjumi
zgjohemi veç disa ditë para vdekjes
marrim frymë thellë, konfrontohemi me vdekjen
Dhe vdesim heroikisht...

Të nesërmen fillon ringjallja
Ngrihemi si rëra e tronditur në shkretinë
Për inat të 1999 fillojmë ta hamë njëri-tjetrin
ua gërryejmë mishin kockat ua marrim për stoli laboratori
në Muzeun e kanunit dhe hakmarrjes gjendet i varur Gjergj Kastrioti - Skënderbeu...


_________________________
Marrë nga revista "Agmia"

Hivzi Nela: AMANET, POEZITË...

 
Havzi NELA (1934 - 1988 )


AMANET, POEZITË...

(Sipas Bedri Çokut, që bashkëvuajti me të - pjesë e shkëputur)

Vetëm një porosi dua të të lë, vëlla, Shukri : Amanet poezitë e mia që ti vetë i ke fshehur. Nëse vdes para se të çlirohemi nga kthetrat e komunizmit, ato nxirri nga dheu ku i ke groposur dhe dorëzoja cilido nga bashkëvuajtësit e mi. Nuk po të them ndonjë emër, sepse nuk e di cili nga ata do t’ia arrijë asaj dite… Por, kam besim se fitorja e jonë do të jetë e afërt…Poezitë e mia do të botohen një ditë…Edhe këto që kam shkruar këtu, në internim.
 
 

 NUSE MË DHANË ROBNINË

Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!

Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.

Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.

Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
Më përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!

E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.

Arrën, tetor 1987



KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”.

Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë!”

(Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983)




NË QELIT’ E BURGUT

Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë nuk kam të vdes.

Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.

Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.

Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.

Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.

Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën
 
_____________________
Marrë nga revista "Agmia"

Dienstag, 9. Oktober 2012

Haxhi Muhaxheri: NJË KËNGË E RE PO VJEN


Poezi nga Haxhi Muhaxheri


POETI

Fle me të gjitha të dashurat
dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
gjuhën e yjve mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
në kërkim
të fjalës së pa thënë
një këngë e re po vjen




PSE VDIÇ POETI

Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja

Mos pysni
pse vdiç poeti




KUR MË THOSHE

(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s'e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!

-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!

-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!

Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

Plaku im i urtë,
Ç'peshë të kishte fjala...




LALËS

Rudha e ballit
vrragë kohësh

Fjala
mbrumur motesh

Hapi i tij
shteg i ri

Unë
bimë e farës së tij

"Rilindj", 26.04 1987




GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëmoti
kengen e diellit

Ëndërroja
dashuroja

Gurrë jete e gëzimi
vret macen e zezë mallkimi
Dashuria ime
gurrë e zjarr


"Rilindja", 1991





SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha

Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë

Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon

"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991




KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie



MOS

Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve

Mos i mallko yjet
Për brengat që ke

Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje

Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Mes gurit e tokës

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PËR ATË FJALË

Për atë fjalë
Që peshon sa bota
Kurorëzoje buzëqeshjen
Me një puthje të ëndërrt
E prishi krejt nyjet
Udhës sate
Fat të ri lidh
Bulëzim dashurishë

Thëllënze moj
E bukura e dheut

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PEMA E MIQËSISË

Frutat i ka te embëla
rritet në të gjitha stinët
nuk ka sëmundje që e zën
farë e saj mbinë çdo ditë
Planetin pushtuar e ka dashuria
Njeriu i Ri i Jetës që vjen


_________________________

K O M E N T E


PREND BUZHALA:
Nje cikel simpatik vargjesh, qe sjell perjetimet e bukura te vlerave njerezore: krijimit poetik, dashurise, atdhedashurise, miqesise... ku thenia poetike vjen e peprunuar, aspak e mbufatur...
Pergezime!

FRAN UKCAMA:
Nje sinteze moderne  emocioni dhe mendimesh filozofike, koncentrime si ajka e qumshtit te bletes, manifest ne stil artisti, gjuha si fara e zgjrdhun… Urime mik Haxhi!

 
YMER NURKA:
Me kish marre malli per vargje te tilla me peshe, ku fjala ka zene vend natyrshem dhe nuk luan vendit... Me ndjenje dhe art eshte zbukuruar ky cikel poetik. Urime mik!
 

XHELAL LUCA:
Pa zmadhim , një penë e florintë e ngjyer në koloritin e flladeve . Dhimjen e shpirtit e mjekon me polen atdheu , dhimjen e trupit , me mjaltë baroti . Në këngën e së djeshmes qartëson mesazhin e së nesermes , në amanetin e babës len testamentin e djalit , në fillin e ëndërrave mbijnë lulet e dëshirës në një pritje më të madhe se shekulli .Ne pikat kulmore takon paraardhësit :Naimin , Çajupin po dhe Migjenin aty ku ënderra është e pa mbarume .

 
MIKEL GOJANI:
Poezi te bukura te krijuesit Muhaxheri. Poezi qe dikur dilnin nga gualli i frymezimit te poetit. Vargu i Muhaxherit eshte nje varg ne kerkim te emrit, ne kerkim dheut, te ashtit arbenor. Vargu i tij, me plot natyreshmeri artistike dhe motivore ka qene pararendes i e se sotmes, i se nesermes.

 
NIKOLL  NDOK ULNDREAJ:
 ... nje cikel poezish te gjalla... brenda tyre ka shpirtin e poetit me flatra... qe flaturon ne qiellin poetik magjishem... lakmohet nga poetet... dhe joshe lexuesit... u jep knaqesi... ua embelton ndjenjat... Haxhi Muhaxheri brenda shpirtit ka universin e tij poetik dhe tabanin nga i nise poetikat e tij ne flaturime per tek lexuesi. E pergzoj per kete cikell poezishe te kendeshme.

 
SEVEME FETIQI:
Shume poezi te bukura dhe me plot vlere artistike.Poezia e mire,nuk lakohet ne kohe,as nuk e humb ngjyren as kuptimin.Mbetet poezi gjithmone.Falemnderit,mik i nderuar per kete kenaqesi te leximit!

 
MENTOR THAQI:
 Haxhi na vjen  me vargje (këshilla madhështore poetike) të një periudhe mbi 20 vjeçare që atëhere e sot ruajnë kontinuitetin e freskisë dhe madhështisë artistike! Së pari buron Gurrë Zjarr-i në shpirtin poetik, kërkon poetin (edhe veten e tij poaty), nëse diku e gjenë "të vdekur", rëndon ajo pyetja: Pse vdiç?!, për atë fjalë!!!, këto të gjitha në, për dhe rreth Kosovës! Një cikël që lidhet bukur si një Kapitull komplet i një Romani poetik, nëse mund ta quaj kështu pa i ngatërruar dallimet?! Paj, poeti na kënaq si gjithmonë me sihariçe artistike, kjo ishte kënaqësi radhe e realizuar shkelqyeshëm në kompaktësinë e vet artistike! Përgëzime në itinerarin tuaj artistik të begattë!



VAID HYZOTI:
Lirizem dhe gjetje.Lakonizem dhe mendim i ngjeshur. E c'duhet me shume per poezine?

GRIGOR JOVANI:
E kam thënë, që ti, baca Haxhi, je poet i dritës. Por edhe i dashurisë, shtoj tani. Në të gjithë prizmin e saj. Lum unë, që të kam mik!


IRFAN CANA:

Në poezitë e këtij cikli të mësipërm,qartë vërehet refleksioni i brendshëm i frymëzimit të rrallë poetik dhe ku ndjehet forca e ligjërimit dhe fjalës së shkruar që gjithmonë në jetë u ka shkaktuar poetëve vuajtje e telashe. Shihet se sa forcë vullkanike ka fjala e shkruar,cila është fuqia e mesazheve brenda krijuesit për t'i dhënë përgjigje konflikteve të kohës.



LUMO KOLLESHI:

Nje cikel me poezi dinjitoze qe e shperndan mjegullen qe duan te hedhin vitet.