Sonntag, 23. Juni 2013

Poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi


Kujt i përket e nesërmja
 

Si në elozhet mitike,
përjetësoj imazhin tënd
në ngjyra ëndrrash
Ti vjen ngadalë si hije e rënduar
lë gjurmë në një shpirt të ri
që jetësohet, mbi gërmadhat antike
ku relikt mbetesh dhe Ti.

Kur mishërimi vjen në shprehje,
përpëlitem në këtë botë të çoroditur,
aktroj për rolin kryesor,
të një filmi pa skenar.
Ti, nga larg joshesh,
ngujuar në elozhet mitike.
Po s’di kujt i përket e nesërmja?!

(Nga vëllimi poetik ”Ujvara e syrit”)



Vetëm një kujtim

Me ëndrrën djaloshare
ngre dolli si në dehje...
ca pika vere të kuqëlojnë buzën
dhe gotës i mbeten ca vija,
si një varrë plage të moçme.
Nuk brengosesh për dhembjen,
as kujtimin e gotës
ku loti derdhet mengadalë,
Ti ngre dolli si në dehje,
me ëndrrën sikur je në garë.



Dy gjysmat tona

Vendtakimi që bëri peng
gjysmën time të brishtë,
lozonjare,gjysmën tënde: burrërore,
me shikim të egërr,
me fjalë të peshuar.
Dy gjysmat tona
Bëjnë të tërën
Ty dhe mua së bashku.



Të jesh peng

Si të jem violinë,
për vajin që të ngeci në buzë!
Për valsin në motet e pikëllimit,
kur grish shpirtin melodia.

Si të jem kitarë,
për serenatën e pakënduar!
Në rrugën ortek i shpenguar,
merr udhë malli i mbetur peng.


Kam mall për ty

Koha tretet në parakalim motesh,
muajt bëhen orë vrastare
e orët të padurueshme çaste
për pakëz dashuri, për një përqafim.

Malli bëhet më i zjarrtë,
kur si nuse e grabitur të fton jeta
në ëndrrat ndjellëse të qershorit.

O trëndafile e venitur nga dielli i verës!
Në syrin tënd gufon përjetësia,
në vargje poetësh të stolis krenaria.

Kalasë së qytetit këndshëm frymon,
zbut zemrat e dashuruara, ëmbëlsisht
në etjen e mallit të ripërtërirë.

Ylberit ngjyrat ia grabit, e
pas fitores çon gotën për dolli,
me buzë trëndafile urove:
“Le të vërshohet bota në dashuri”