Dienstag, 9. Oktober 2012

Haxhi Muhaxheri: NJË KËNGË E RE PO VJEN


Poezi nga Haxhi Muhaxheri


POETI

Fle me të gjitha të dashurat
dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
gjuhën e yjve mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
në kërkim
të fjalës së pa thënë
një këngë e re po vjen




PSE VDIÇ POETI

Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja

Mos pysni
pse vdiç poeti




KUR MË THOSHE

(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s'e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!

-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!

-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!

Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

Plaku im i urtë,
Ç'peshë të kishte fjala...




LALËS

Rudha e ballit
vrragë kohësh

Fjala
mbrumur motesh

Hapi i tij
shteg i ri

Unë
bimë e farës së tij

"Rilindj", 26.04 1987




GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëmoti
kengen e diellit

Ëndërroja
dashuroja

Gurrë jete e gëzimi
vret macen e zezë mallkimi
Dashuria ime
gurrë e zjarr


"Rilindja", 1991





SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha

Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë

Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon

"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991




KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie



MOS

Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve

Mos i mallko yjet
Për brengat që ke

Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje

Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Mes gurit e tokës

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PËR ATË FJALË

Për atë fjalë
Që peshon sa bota
Kurorëzoje buzëqeshjen
Me një puthje të ëndërrt
E prishi krejt nyjet
Udhës sate
Fat të ri lidh
Bulëzim dashurishë

Thëllënze moj
E bukura e dheut

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11




PEMA E MIQËSISË

Frutat i ka te embëla
rritet në të gjitha stinët
nuk ka sëmundje që e zën
farë e saj mbinë çdo ditë
Planetin pushtuar e ka dashuria
Njeriu i Ri i Jetës që vjen


_________________________

K O M E N T E


PREND BUZHALA:
Nje cikel simpatik vargjesh, qe sjell perjetimet e bukura te vlerave njerezore: krijimit poetik, dashurise, atdhedashurise, miqesise... ku thenia poetike vjen e peprunuar, aspak e mbufatur...
Pergezime!

FRAN UKCAMA:
Nje sinteze moderne  emocioni dhe mendimesh filozofike, koncentrime si ajka e qumshtit te bletes, manifest ne stil artisti, gjuha si fara e zgjrdhun… Urime mik Haxhi!

 
YMER NURKA:
Me kish marre malli per vargje te tilla me peshe, ku fjala ka zene vend natyrshem dhe nuk luan vendit... Me ndjenje dhe art eshte zbukuruar ky cikel poetik. Urime mik!
 

XHELAL LUCA:
Pa zmadhim , një penë e florintë e ngjyer në koloritin e flladeve . Dhimjen e shpirtit e mjekon me polen atdheu , dhimjen e trupit , me mjaltë baroti . Në këngën e së djeshmes qartëson mesazhin e së nesermes , në amanetin e babës len testamentin e djalit , në fillin e ëndërrave mbijnë lulet e dëshirës në një pritje më të madhe se shekulli .Ne pikat kulmore takon paraardhësit :Naimin , Çajupin po dhe Migjenin aty ku ënderra është e pa mbarume .

 
MIKEL GOJANI:
Poezi te bukura te krijuesit Muhaxheri. Poezi qe dikur dilnin nga gualli i frymezimit te poetit. Vargu i Muhaxherit eshte nje varg ne kerkim te emrit, ne kerkim dheut, te ashtit arbenor. Vargu i tij, me plot natyreshmeri artistike dhe motivore ka qene pararendes i e se sotmes, i se nesermes.

 
NIKOLL  NDOK ULNDREAJ:
 ... nje cikel poezish te gjalla... brenda tyre ka shpirtin e poetit me flatra... qe flaturon ne qiellin poetik magjishem... lakmohet nga poetet... dhe joshe lexuesit... u jep knaqesi... ua embelton ndjenjat... Haxhi Muhaxheri brenda shpirtit ka universin e tij poetik dhe tabanin nga i nise poetikat e tij ne flaturime per tek lexuesi. E pergzoj per kete cikell poezishe te kendeshme.

 
SEVEME FETIQI:
Shume poezi te bukura dhe me plot vlere artistike.Poezia e mire,nuk lakohet ne kohe,as nuk e humb ngjyren as kuptimin.Mbetet poezi gjithmone.Falemnderit,mik i nderuar per kete kenaqesi te leximit!

 
MENTOR THAQI:
 Haxhi na vjen  me vargje (këshilla madhështore poetike) të një periudhe mbi 20 vjeçare që atëhere e sot ruajnë kontinuitetin e freskisë dhe madhështisë artistike! Së pari buron Gurrë Zjarr-i në shpirtin poetik, kërkon poetin (edhe veten e tij poaty), nëse diku e gjenë "të vdekur", rëndon ajo pyetja: Pse vdiç?!, për atë fjalë!!!, këto të gjitha në, për dhe rreth Kosovës! Një cikël që lidhet bukur si një Kapitull komplet i një Romani poetik, nëse mund ta quaj kështu pa i ngatërruar dallimet?! Paj, poeti na kënaq si gjithmonë me sihariçe artistike, kjo ishte kënaqësi radhe e realizuar shkelqyeshëm në kompaktësinë e vet artistike! Përgëzime në itinerarin tuaj artistik të begattë!



VAID HYZOTI:
Lirizem dhe gjetje.Lakonizem dhe mendim i ngjeshur. E c'duhet me shume per poezine?

GRIGOR JOVANI:
E kam thënë, që ti, baca Haxhi, je poet i dritës. Por edhe i dashurisë, shtoj tani. Në të gjithë prizmin e saj. Lum unë, që të kam mik!


IRFAN CANA:

Në poezitë e këtij cikli të mësipërm,qartë vërehet refleksioni i brendshëm i frymëzimit të rrallë poetik dhe ku ndjehet forca e ligjërimit dhe fjalës së shkruar që gjithmonë në jetë u ka shkaktuar poetëve vuajtje e telashe. Shihet se sa forcë vullkanike ka fjala e shkruar,cila është fuqia e mesazheve brenda krijuesit për t'i dhënë përgjigje konflikteve të kohës.



LUMO KOLLESHI:

Nje cikel me poezi dinjitoze qe e shperndan mjegullen qe duan te hedhin vitet.

1 Kommentar:

  1. Më duhet vetëm të them këtë dëshmi, unë quhem Mariah Carey, u martova para 9 vitesh pa asnjë fëmijë për të, burri im më urrente dhe vjehrra ime më trajtoi aq keq, kjo më bëri të frustruar, erdha duke kërkuar në internet për ndihmë më pas pashë shumë dëshmi se si Dr dawn acuna ndihmoi shumë burra dhe gra, e kontaktova menjëherë në Whatsapp dhe ia shpjegova situatën time, ajo më premtoi të më ndihmonte dhe më dha disa udhëzime të cilat i bëra gjithçka në mënyrë perfekte. në fund të fundit ajo më kërkoi të shkoja në spital një letër 1 muaj dhe për habinë time isha 1 javë shtatzënë, por për momentin i jam shumë mirënjohëse sepse kam lindur djalin tim të bukur dhe unë dhe familja ime jetojmë në paqe dhe lumturi. tani, kontaktoni atë në Whatsapp. ( +2348032246310 )
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni martesë të qetë.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje, apo ndonjë gjë tjetër.

    AntwortenLöschen