Samstag, 27. April 2013

Mihallaq Qilleri: Poezi


MIHALLAQ QILLERI

SHQIPËRIA

 
Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.

Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë

Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.

Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!





R R U G Ë T

 
Konvecion i shëmtuar i hapësirës,
Rrugët shfaqen e shuhen si vetëtima
Në jetën tonë të përkohëshme, të zbrazët.
Thuhet se diku nisin e diku mbarojnë,
Si një fill i turbullt ëndrre e shpëlarë,
E njerëzit i lidhin pas vetes si milingona qeliza.

Rrugët janë kurthe të imagjinatës rurale
Limite të bardha pa kurfarë drithërime,
Siç erdhe dhe ike ti në jetën time..
Gjurmët, herë të përbaltura, herë të fshira
Nga shtrëngatat e erës, stuhitë e mendimeve,
Një plagë e lënë përdhé që thinjat i shton,
Kalbëzim ku nis rrugëtimin mosqenia.

Traga vijash gjaku që shprishen kobshëm
Rrëshqanorë nëpër shpate mendimesh,
Ikja jote një gëvishtja e një kohe pa udhë
Do të qëndronte fshehur si një gjarpër
Nën tokën e ftohtë e të lagësht..
Të mosekzistencës dhe heliumit helmues..

Takimi ynë një udhëkryq i shpërfillur ishte.
Edhe pastaj diku nxitove në hapësirën absurde;
Nëse do kishe ardhur, ikja do ishte klithmë,
Ndryshe askund nuk ke mbetur përtej së djeshmes..
Rrugët janë fshirë si vijat në bregun me dallgë.




ATLANTIDA

 
Hamendje tragjedianësh klasikë, historianësh,
Thira 1) , e heshur, e bardhë, enigmatike,
Katastrofën biblike në detin e kaltër e preh,
Shtyllat e Herakliut nuk shihen më askund,
Pallatet mbretërore të luksit dhe kasollet e skllevërve,
Kanë shuar zërat, grindjet, dashuritë, verën e derdhur
Dhe nën ca gurë të zymta, të mbytura
Në pluhurin e vullkanik përgjithmonë të varrosura.

Një qytetërim i çarë, i shqyer prej magmës përvëluese,
Zemra të thyera më dysh si shprishje bote,
Një dashuri e zhytur në thellësitë egjeniane,
Gëlon gjer tek unë nga dhimbjet zemërake të botës.
Ti nuk je më e imja, tokë, por copëtuar dhimbshëm
Prej luftërash të tmerrshme e llave të nëndheshme,
Vijon të tretesh në ajërin e thatë të absurdit.

Atlantida fantaziste vjen tek unë si copëtim shprese.
Qytetërimi i parë dashurisë së thellë i ngjante;
Njeriu i varfër nisi të lëngonte në humnerat
Vullkanike të zemrës së vet..

Shpërthimet janë shuar tashmë nën ujërat e kaltëra,
Përballë Trojës, ku shumë vite më pas barbaria do vriste
Dashurinë me luftë, e vullkanet njerëzorë do rrënonin
Qytetërime të dyshimta popujsh të çmendur…
______________
1) Thira, - emri i vërtetë i ishullit Santorini ku mendohet se gjendej Atlantida e lashtë.




S T R E H A

 
Për dore mbaje frutin e ankthshëm të marrëzisë,
Fëmijën faqekuq, të bukur si trandafil në maj,
Unë endesha i trishtuar në skajin tjetër të vetmisë,
Tronditur nga frika jote dhe mëkati – faj.

Ndriste një diell i shëmtuar, i nxehtë,
Vështimet e botës e bënin akoma më torturë,
Nuk kishte strehë të na mbronte aq lehtë,
Veç një kishëze që se kishim vënë re kurrë..

Unë dhe ti ulur ndënjëseve nën të rëndën hije
Dhimbshëm shtrëngonin duart në fshehtësi,
Ndërsa fëmija vështronte ikonat martire,
Sikur u lutej shënjtorëve ta mbronin ata tani..

Më thoshje zëulët se bota qe kupë helmi,
Dhe ti duhej ta pije vajtueshëm kështu,
Ne fajtorët ndëshkohemi një ditë prej qiellit,
Ndaj dashuria-mëkat do hedhur në humnerë diku..

Kupa-qiell e kishës me ëngjëj vizatuar,
Fytyra e fëmijës rob tronditur sa s’kish më,
Ti sy-lotë më shtrëngoje duart e malluar,
Nën atë strehëz shpirtrash pa gjak, pa zë..




PUTHJA E DIELLIT

 
Ε ngrohtë, e ngrohtë, si ëndërr
Magji lundruese nën qiellin prej degësh
E gjethesh fëshfëritëse
Unë e ti, Lumë i ditëve të mia,
Prekim e njeri-tjetrin trazojmë...
 
Jemi aq pranë tani sa kurrë më parë..
Vegime vezullese depërtojnë në rrjedhën
Blu të marrëzisë së turbullt,
Ashtu shtrirë me shpinë mbi gurin e bardhë
Mokërr e jetës rrotullohet përskaj meje,
Mërmërimë venitëse lulesh kokëulura.

Ç’më tregon ashtu symbyllur vetja ime?
Ku i shpie mendimet fluritëse kur
Gjithë nxitim e ankth lëviz drejt zhdukjes?
E di që në Detin e gjithësisë zbrazesh
Njerëzor, rrëqanor sa trëmbem e mbytem
Në mrekullinë e puthjes nga një copë diell.
E unë, shtrirë me shpinën e ftohtë
Mbi gurin e mundimeve sifiztike
Pres, pres, pres, në kush e di se sa vite,
Pres.. të zbrazesh diku brenda meje..




KUR MUNGON TI

 
Kur mungon ti,
Kapakët e buzëve thahen nga ajëri i thinjur,
I hidhur, si në një minierë qymyri, e
Sytë ulin qepallat e rënda,
Përtej viteve të ngrira.

 
Kur mungon ti,
Akacia mbi dritaren e dhomës sime të punës
Vyshket e gjitha, gjethe-e-lulerënë
E degët ngjajnë si këmbë të verdha
Ushtarësh kthyer nga Lufta e Gjirit

 
Kur mungon ti,
Drita ka vdekur në shpella trishtimi
E humnerash pa fund, e
Hëna e hedhur mbi pusin e qiellit
Coptuar shihet si monedha e asgjësë.

 
Kur mungon ti,
Skllavëria zbret në tokën e pluhurt
Të mendimeve barbare,
Me drithërima gjaku e mënçuri
Të fikur..

 
Kur mungon ti,
Heshtja perandorinë e vet krijon përdhunshëm,
Nëpër mijëra gërma – milingona
Që ngrijnë si ushtri e tharë
Në shkretëtirat e bardha
Të romaneve të papërfunduar.

 
Kur mungon ti,
Koha është vrarë diku në Luginën e Gjoksit!




P S H E R Ë T I M A

 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Dhe bri teje kjo frymë-furtunë,
Uraganë zbret prej qiellit
Në tokën e varfër të mendimeve.

 
Ti thua se psherëtima ime,
Sekondëshe sa një mal,
Tret besimin te dashuria
Dhe qiejt i ngushton sa një gropë
Ku plehërat e fjalëve mund t’i flakim.

 
Ti thua se psherëtima ime,
Ikën e vjen në ditë të mjergullta,
E në kohëra të qelqta shteron
Besimin e lodhur të pamundësisë
Hakmarrëse..
Ndërkoha jonë e madhe
Male me dashuri dhe diell ka në mes,
Të kuq me stuhi heliumi
Rrëke vigane avujsh përvëlues,
Flakë e fjalë kozmike,
Dhe drithërima magjike ekzistence.

 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Se një atom heliumi dergjet si insekt
I ngordhur tashmë
Në tokën e plehëruar të dashurisë sonë.

 
Njeriu diell jam e hija, sa një fije hije,
Pas më ndjek deri në shpërbërje..




K L I T H M A

 
Për një çast, për një sprovë, për një ankth.
Nga vetvetja ika i trishtuar.
Lëkurën e unit e zhvesha me dhimbje
Dhe tej, një hap,- jo më shumë, -
Nga frika qendrova ta shihja
Këtë qenie të boshatisur në hije.

 
Për vete mbajta rrënkimet, dyshimet,
Gëzimet dhe lotët mbi shpinë ngarkuar.
Dashuritë e venitura, zilinë
E botës për bukuritë e ndjera,
Pasurinë, ambicjet, kujtimet, lirinë
Egoizmin po mbillja në toka të mjera..

 
Matanë, po vdiste një qenie pa gjak,
Po vdiste lëkura e tharë prej lëngut,
Të zemrës dhe mendjes,
Po vdiste një pjellë e llahtarshme,
E askundit, si krim i fshehur prej pengut
Po tretej ngadalë i pandëshkuar,
Aq hapur pat jetuar, aq mjeruar.

 
Më ligështonte figurina që përthyhej
Të shëmbej përtokë, e pluhurt anonte
Ekzistenca banale më ngjante pa vlerë,
Dilema të ikja më tej a të qëndroja .
Në të përjetshmen strehë vijonte..

 
Befas, befas, befas, befas,
Një zë tronditës, llahtar më thërriste
Klithma prej varrit e nënës sime gulçonte
Të rihyja në lëkurën e boshatisur të vetvetes..
Kërkonte, kërkonte..kërkonte..!




D A S H U R I A

 
Ti thua se fjalët e tua të janë një shfaqje dashurie,
Unë besoj se, mbi të gjitha, jemi thjeshtë të sinqertë !

 
Dashuria, po të jetë vërtetë e tillë e na dhemb,
Është nga të paktat kohë të bukura me stuhi,
Shtrëngata që na lagin e na mbajnë ngrohtë,
Sëmundje që nuk na shtrin në shtrat.
Dhimbje zemre që shpesh ka nevojë për vetmi!




H E S H T J A

 
Një gisht u zgjat mbi buzët e mia
Mbi buzët e mia nga puthjet gjak
Një gisht që më pengonte fjalët
Frymën, lumturinë ma ndalonte pa shkak..

 
Cepi i parajsës ngjethshëm po ikte
Mbi xhama avujsh puthjesh-plotë
Një stinë e mykur pa ngjyra vinte
Me diell të ngrirë e sytë lotë.

 
Më thoshte se ne do ndaheshin të qetë,
Ashtu, pa britma pasionesh kushedi
Nuk vdiste kurrë dashuria e vërtetë
Dikur, diku mund të takoheshim përsëri..

 
Habia e qetësisë që grisej kështu,
Prej derës së hekurt që duhej të hapja,
Mrekullinë e një dhome harruar diku...
Në periferi të dëshpërimit po mbartja

 
E thellë plaga e ndarjes po hapej
Tragjike njohja, dashuria, gjithçka,
Zemra qe lënduar sa mund të ndalte
Dhe vdekja të mbinte papritur,.. hata!.

 
Vështrimin e saj dritëhëne shihja
Përcjellës, e ndjekës, tragjik, sy-lotë
Më lutej të ikja, të ikja, të ikja
Në takim me vetminë time të ftohtë,

 
Dhe bosh-in e kobshëm me vete e mora
Me dritë të ndezur ike edhe ti
Një një cep të pluhurosur planeti...
U ndamë pa zë, në heshtje, gjithsesi..  

Ismail Kadare: Poezi


MALL

Ca pika shiu ranë mbi qelq
Për ty unë befas ndjeva mall
Jetojmë të dy në të njejtin qytet
Dhe sa rrallë shihemi sa rrallë...

Dhe mu duk pak e cuditshme
Si erdhi kjo vjesht ky mëngjes
Qiejt e ngrysyr pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç mu kujtua sot për dreq
"Të zgjuarit janë bashkë në këtë botë
Kurse të fjeturit janë veç"

Në ç'ëndërr kemi rënë kaq keq
Që dot s'po zgjohemi vallë?...
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mallë.



MALLI I SHQIPËRISË

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë
Sontë, kur po kthehesha me autobuz,
Tymi i cigares "Partizani" që pinte dikush
Dridhej, kaltëronte bënte spirale,
Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve

Mua bashkeatdhetarit
Të shikoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës,
Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi.
Dhe në rrugët ku s'kam bërë marrëzi.
Më njohin ato porta të vjetra të drunjta,
Inatin akoma do ta mbajnë,
Kokën do ta tundin,
Po unë s'do ta marr për keq,
Se malli më ka marrë.
Dhe t'eci rrugicave plot gjethe të thara
Gjethe të thara gjethe vjeshte,
Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë.

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë
Për atë qiell të madh, të gjërë e të thellë,
Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike
Për retë që në muzg si kështjella digjen,
Për alpet mjekër bardha e mjekër gjelbra,
Për netët e najlonta që nga flladet fërgëllojnë,
Për mjegullat që si indiane të kuq
muzgjeve shtegtojnë.

Për lokomotivat e kuajt,
Që të djersitur avullojnë e hungërojnë,
Për qiparisat, kopetë, e varret
Malli më ka marë, malli më ka marë,
Për shqiptarët.
Më ka marë malli e së shpejti vi atje
Duke fluturuar mbi mjegullat si mbi dëshira,
Sa i largët, aq edhe i dashur je, Atdhe.

Aerodromi do të dridhet nga uturima
Mjegulla do të rrije pezull mbi humnera.
Ata që shpikën shpejtësinë reaktive
Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë ndonjehere.



NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

Në parkun q'ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q'ë kan' mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s'e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s'kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s'kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti...



TI DHE HËNA

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mënd më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perendim s'do të kesh kurrsesi.



KRISTAL

Ka kohë që s'shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.

Në s'gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dine as ne askush
harim ish ky a s'ish harim.

Dritëro Agolli: Poezi

 
NUSJA NGA KOSOVA

Kam dashur t'i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku rjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t'ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s'kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s'merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pashaporta s'te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta...

Kam ëndërruar t'i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s'desha të shkoja në tjetren botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja…
 
 
 

PULEBARDHA
 
Pulbardhen ne reren e lagur e gjetem,
E kishte thyer kemben nen gjurin e brishte.
E kishin lene shoqet ne bregun e detit vetem.
E kishin lene e askush nuk e priste.
 
Pulbardhen ne dhomen tone e shpume
E u mesua me ne si njeriu i shtepise.
Vec nga dritarja shikonte detin me shkume
Dhe valen qe ngrihej mes shiut dhe stuhise

Jetoi pulbardha shume ne dhome
Po humnbi papritur nje dite,
Nje dite kur deti hidhej mbi reren e njome
Nje dite kur vinin stuhite..

Dhe shkuam ne det ta kerkonim,
Kur vala me valen si deshet kokat kishin perpjekur
Dhe era dhe rete renkonin
Dhe e gjetem pulbardhen te vdekur...

E pame!
Kishte hapur krahet e bardhe ne reren e njome
E pame!
Ndofta nuk donte te vdiste ne dhome...

 
 
 
SHIU I MARRË
 
Dikur na bridhte qiejve një shi,
Që veç poetët çmendte po t’i lagte.
Dhe ra ky shi pa pritur mbi njerëzi,
Poetët u lajthitën pas një nate.

Filluan të kopjonin veç një varg,
Të kishin të përbashkët veç një metaforë,
Për shembull: “Jam Homeri, jam bust në park,
Jam Sofokli, Eskil e Pitagorë.

Jam rrugë vetëtimash e rrufè,

Jam dhe kostelacion në qiell,
Jam rrap me rrënjët pleksur nëpër dhè,
Jam udhëtar që kam në sup një diell…”

Po nga ky shi s’u lag veç një poet,

Se ishte fshehur në një pyll të dendur,
Poetët e lajthitur në qytet
E qeshnin dhe i thoshin: “Je i çmendur!”

Dhe u mërzit poeti në vetmi,

Se talleshin të çmendurit, poetët,
Dhe luste zotin që të binte prapë ky shi,
Që dhe ai të çmendej si të tjerët.
 
 
 
 

KETU S'DO JEM

Ketu s'do jem do jem larguar
Ne toke I tretur si te tjeret
Ne kafenene e preferuar
Nuk do me shohin kamarieret
 
Dhe neper udhet ku kam ecur
S'do ndihet kolla ime e thate
Mbi varrin tim do te rrije I heshtur
Nje qipariz si murg I ngrate
 
Ti do trishtohesh atehere
Se s'do me kesh ne dhome te gjalle
Dhe kur ne xham te fryje ere
Do qash me eren dalengadale
 
Por kur te jesh merzitur shume
Ne raft te librave kerkome
Aty do jem I fshehur une
Ne ndonje fjale a ndonje shkronje
 
Mjafton qe librin pak ta heqesh
Dhe un do te zbres do t'vi prane teje
Ti si dikur me mall do qeshesh
Si nje blerim pas nje rekeje.
 
 
 
MALLI PER HERONJTE

S'ka heronj,herojte i perzume
me lavdi perdite i nanuritem
dhe me lajka dalngadal i vume
nje nga nje ne prehje dhe ne gjume.

S'ka heronj,heronjte u merziten,
prisnin endrat,endrat u vonuan
duke pritur heshten e dremiten
dhe ne nina-nana u kenduam.

C'digjeni nga malli per heronjte?
kushedi kur kthehen nga kjo ane
C'i kerkoni?Pritja eshte e kote
S'ka heronj,tani ka pelivane!
Heshtja


Cigarja u dogj gjer ne fund,
Mbi tryeze gjumi me mori
ne xhamet era perdet s'i tund
dhe hesht koridori.

Me koke ne tryeze te flesh,
te shohesh endra te blerta...
Sa ndot...Te zgjohesh e prape te gjesh
ne qoshe te vjellat e lena nga jeta!
Kujdes me fjalen


Kujdes me fjalen,zonjez me cante
Kujdes me fjalen dhe ti zoteri
Pushteti i fjales eshte i vecante
Gatuan male dhe kakerdhi.

Me fjalen rrjedhin perenj me mjalte
Pikojne cezma me helm te zi
Kujdes me fjalen zonjez me cante
Kujdes me fjalen dhe ti zoteri!

Nga fjala humben Jude e Pilate
Stratege e mbreter me mbreteri
Kujdes me fjalen zonjez me cante
Kujdes me fjalen dhe ti zoteri!

Kur fjala nxiret nga buzet jashte
Si dallendyshja s'vjen ne shtepi
Kujdes me fjalen zonjez me cante
Kujdes me fjalen dhe ti zoteri!

Une fjalen vete e shtroj ne karte
Dhe brenda syve se c'eshte e di...
Kujdes me fjalen zonjez me cante
Kujdes me fjalen dhe ti zoteri!
Varferia
Kishat e shembura
Malli per heronjte
Kujdes me fjalen
Heshtja
 
 
 
 
KUR NJË MËNGJES
 
Do te jete mengjes e une do te vi patjeter.
Mbi xhaketen time do te kene rene petale
Nga lulet e kumbulles se vjeter,
Nga lulet e thanes se tharet.

Ahere ti s'do te jesh zgjuar akoma.
Une do te them emrin tend ne xhame
Dhe do te vershellej te dashuren kengen tone:
"Ti cele heret, moj bajame!"

Do vershellej ngadale-ngadale
E s'do prish gjumin tend te bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet ne sup nje flutur...

E, kur syte te hapesh, do te shohesh
Romantikun e perjetshem ne xhame
Dhe kengen e dashur do njohesh:
"Ti cele heret, moj bajame!"




PELEGRINI

Une jam prej kohesh pelegrin
udhetar ne vendin e shpreses se thyer
jam ndare pa dashur nga karvani im
mes shtigjeve nga vapa e shirat gryer.

Kerkoj karvanin tim ne rene e shpat
karvanin qe e ka ndruar drejtimin me kohe
ndaj ne udhe jam krejt i humbur,jam fillikat
me shami te grisur lidhur ne koke.

Per uje buza ime u dogj u be zhur
dhe syte me shpojne nga shterja e lotit
me duhet te arij karvanin e tretur qekure
capitur mes vapes,mes shiut e te ftohtit.

Une jam prej kohesh pelegrin
shtegtar i karvanit te humbur
dhe bart ne kuriz nje premtim
te dhene gjysherve te mundur.

Rrahman Dedaj: Poezi


TË ECËSH VETË

Nisesh nga vetja pa u hamendur
E qet një hap dhe hapin tjetër
Dhe mund të jesh fatlum
Nëse hapin e tretë
E qet sërish përpara

Duhet t'i mësosh hapat
Të ecin edhe prapa shpine
Në të mëngjër e në të djathtë

Nuk dihet si kryqëzohen rrugët
Si ngatërrohen pa gisht tregues

Mos u hamend
Asnjë lavdi s'ka udhëtuar larg
Asnjë largësi s'është afruar krejt

Është e rëndësishme
Të ecësh vetë



MË SHKRUAJ

Si na gjejnë letrat
Si na gjejnë fjalët

Ndërrimi i adresave
Nuk prish punë

Edhe largësitë flasin
E malli na kërkon
Dhe na fajëson

Më shkruaj
Derisa letrat na njohin
se po rigon shi
Që nuk gjason me shiun

 ÇDO GJË ISHTE VETËM NJËHERË E NJËJTË

Po mbyllem në një kujtim
Si në guacën që solli vala
Pranë rërës pranë detit
Tërë atë që kisha
S'i duhet më askujt
Çdo gjë që ishte
Vetëm njëherë e njëjtë
Asnjë ëndërr s'diti të përsëritet
Në një pëlhurë le të pikturohet
Vetëm zemra mbi një hekur
Dhe etja pranë një kroi
Era do të fryjë e asgjë s'do të ikë
Bari do të qajë si shiu
E shiu do të këndojë si pikëllimi
Çdo gjë do të gjasojë në vetvete
Që t'i kthehet humbjes së vet

 TË PAPRITURAT VIJNË PAPRITUR

Asgjë s'është këtu e njëjtë habia ime
Tëra të përsëriturat bëhen ndryshe
Qenka shpërngulur fjala
Që ta mësojë urtinë e të ecurit

Befasia është e pakutpueshme
Kryeneçësia ime e pakuptim

Çdo fjalë paska një djall
Në lakueshmërinë e verdhë
Që s'mund ta ndalin

Të pashmangshmet do të ndodhin
Koha ime e pashkelur
Të papërsëriturat vijnë papritur
U plakëm nga mençuria e premtuar


LIRIKË E MËSUAR

Gjaku im ngatërrestar
S'është paragjellë e njelmët

Fjalën e pagjunjëzuar
Le ta kërkojë
Fatkeqësia e vet

Le ta çojë shiu
Lirikën e vet të mësuar

Pa u shëruar mirë
M'u ngjit sëmundja tjetër

Në këtë qerre të cirkut
Larg do të udhëtojmë


SËRISH NË VENDIN KU U NDAMË

Qante zogu i mallit
Në paskajësinë që nuk afrohej
Dikush kthente majeve
Dikush vdiste në kujtesë

Asnjë udhë
Të kryqëzohej në zemër

Po bie shi i mallëngjimit
Mbi një thikë të kujtimit



NGA PO VJEN E ÇUDITSHMJA

Po ikin të vërtetat pa mua
Po kthehen të rremet pa kohë

Gjeometri e njëtrajtshme
Fjalën po ma fsheh

Në cilin teatër do të luhet
Roli qesharak i kujtesës sime

E dielë e shtunë e premte
E enjte e mërkurë e martë
Të hënën fillon puna sërish


NJERIU QË MBANTE DITAR

E matte jetën me pëllëmbë
Një e jetuar
Një e pajetuar
Një i dilte mashtrim
Një tjetër gabim
Çdo gjë iu kishte plakë
Më shpejt se rrita

Ishin thinjur udhët
Dhe zogu që këndonte
 
 


 
SIMBOLIKA E DOMETHËNIA METAFORIKE E POEZISË SË RRAHMAN DEDAJT
SAZAN GOLIKU


Rrahman Dedaj (1938 – 2006) është nga poetët e Kosovës për veprën e të cilit është shkruar më së shumti nga kritikë letrarë me emër, me përvojë e të rinj. Poezia e tij është shqyrtuar, vlerësuar e interpretuar nga anë e kënde të ndryshme, nga pozita ideoestetike e kritere te ndryshme, po të gjithë pajtohen për vlerat cilësore të kësaj poezie, duke e radhitur poetin ndër më të shquarit në poezinë e sotme shqiptare.

Rreth poetikës së Rrahman Dedajt

Duke vëzhguar ecurinë e poezisë së Rrahman Dedajt nga një libër në tjetrin nuk është e vështirë të bindesh sa për rritjen e shkallëshkallshme të mjeshtërisë e thellimin e individualitetit të tij krijues, aq dhe për koherencën ideoartistike të poezisë së tij. Uniteti i theksuar i strukturës përmbajtësore e stilistike të krijon përshtypjen sikur ai varion nëpër shtratin e poezisë të njëjtat ide të trajtuara nga kënde e kahje të ndryshme, të njëjtat stilema e mënyra të procedimit artistik.
Të thuash se poezia e Rr. Dedajt ka denduri figuracioni, ky është një konstatim i drejtë. Të zbulosh e të vërtetosh se sa e si ka ndikuar ose përcaktuar kjo denduri në viskozitetin e strukturës e të shprehjes artistike, pra në qartësinë e perceptueshmërinë e tekstit poetik, ky është problem, zgjidhja e të cilit kushtëzon dhe vlerën reale të kësaj poezie. Prandaj, pa hyrë në brendësi, pa njohur simbolet (sidomos ato vetjake) e stilemat e poetit, nuk mund të hapësh dot portën e poezisë së tij. Këtë çelës, i cili gjendet po t’i kundrosh nga afër e me kujdes shtresat strukturore të poezisë, kërkon edhe krijimtaria e Rr. Dedajt.
Metaforizmi i shprehjes poetike me anë të kompleksitetit të tropeve e figurave të tjera stilistike, përdorimi i simboleve të njohura e vetjake me funksion përgjithësues e formal, aktivizimi i ironisë e i shprehjeve paradoksale karakterizon në mënyrë eksplicite, ku më shumë e ku më pak stilin e kësaj poezie. Këtë mund ta shpjegojmë me prirjen vetjake, po dhe me kushtet e rrethanat në kohë e në hapësirë të krijimit. Trajtimin e përanshëm të lëndës poetike mund ta quajmë tipar themelor të stilit të autorit.
Me qetësi dramatike e urtësi pleqërore, me lëndë kombëtare e konceptim modern të shprehjes artistike, Rr. Dedaj ka krijuar fizionominë e vet artistike për nga temperamenti e smilari artistik. Lumi i tij poetik nuk rrjedh asnjëherë furishëm me valë e shkumë. Në sipërfaqe vërtet duket i qetë, por duhet të kridhesh në thellësitë e tij për të ndierë rrymat e vorbullat e fuqishme e tronditëse që vetëm sa ravizohen sipër. Vetë përmbajtja, ruajtja e ekuilibrit midis shprehjes së ndjenjave dhe gjykimit të heroit lirik ose vetë poetit është sa aftësi, aq dhe prirje e tij.
“Patetiken midja s’ma pranon” shprehet poeti në vjershën “Monologu”, ashtu siç nuk pranon dhe tonet e ngjyrimet retorike. Gjithashtu, mund të thuhet se i ka zhdukur elementet rrëfimtare të ligjërimit. Saturimi i vargut, po dhe i gjithë strukturës së poezisë, duke pasur për bazë simbolin, metaforën, shprehjet metaforike dhe metaforat e simbolizuara, bën që lakonizmi i formave të ligjërimit dhe dendësia e përmbajtjes ideoemocionale të arrijnë një pikë ngjizjeje, por duhet thënë se herë-herë edhe një pikë kritike djegieje.
E ndërtuar me kontraste, antiteza, antonime, me pohime e mohime shpesh dhe brenda një sindagme, poezia e Rrahman Dedajt, strukturohet e krijohet kështu nëpërmjet kontradiktave dhe ekziston nëpërmjet tyre. Prej këtej dalim te një tipar tjetër i kësaj poezie: Kemi një simbiozë të vetëdijshme të konceptimit lirik me atë dramatik të motiveve e temave, por gjithmonë brenda karakterit mbizotërues meditativ.
Studiuesi e kritiku Rexhep Qosja vëren se “duke filluar prej përmbledhjes së parë “Me sy kange”, miti, folklori, magjia, dhe, rrjedhimisht, simboli i kulturës popullore do të ketë rëndësi gjithnjë e më të madhe në krijimtarinë poetike të Rr. Dedajt”. Këto elemente, duke mos pasur vetem funksione thjesht formale, kanë ndikuar në njëfarë shkalle edhe në mënyrën e strukturimit të kësaj poezie, pra, janë kthyer në elemente karakterizuese. Me të drejtë kritika letrare ka vlerësuar në poezinë e tij pasurinë e simboleve që funksionojnë si një sistem i organizuar dhe që marrin vlerë semantike brenda këtij sistemi. Shpesh simbolet e njohura bëhen simbole kontekstuale, po dhe këto përdoren me konotacione ose nuanca konotacionesh të ndryshme. Ky prosede, nga njëra anë shton vlerat polisemantike të fjalëve të ngritura ose të përfytyruara si simbol, po nga ana tjetër kjo lëvizshmëri shpesh e vështirëson kapjen e atypëratyshme të idesë së poezisë.
Simbolet vetjake të ndërthurura me metafora të shumëfishta dhe kapërcimi e shkëputja e mendimit nga strofa në strofë ose dhe brenda strofës, nuk mund të mos i bëjnë një pjesë të poezive të vështira për t’u shijuar e perceptuar si një e tërë.
Ironia në poezinë e Rr. Dedajt edhe pse është diskrete dhe e matur, ka funksione të ndryshme ideore e stilistike. Diku përcakton qëndrimin e poetit ndaj një dukurie negative ose të papranueshme. Diku tjetër ndihet si shprehje e keqardhjes ndaj një gjendjeje të caktuar, por që poeti e shoqëria aktualisht nuk mund ta ndryshojnë. Ironia ndaj njerëzve të vet, pra dhe ndaj vetes, kthehet në një nënqeshje të trishtuar kur poeti vëren ngarkesat e papëlqyeshme të së kaluarës ose të së huajës që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tyre dhe kushtësojnë veprime e sjellje që bien ndesh me frymën e kohës ose janë në kundërshtim me interesat e tyre jetike. Poeti e ndërton disa herë ironinë me anë të përqasjes ose kundërvënies së fakteve që mohojnë njëra-tjetrën. “Europa fle nën ombrellë” (edhe pse poeti nuk e thotë, po merret me mend se është fjala për ombrellën atomike)/ e zgjohet si fëmijë i frikësuar me këmishë të reckosur” Prandaj poeti thërret në kulm të ironisë: “Të pimë nën këtë ombrellë/ në emër të humanizmit”. Në shtjellën marramendëse e shumëngjyrëshe të demagogjisë jepet lajmi se në OKB u miratua Rezoluta kundër armatimit, ndërsa “Në institutin atomik edhe një herë/ provohet ndarja e neutroneve”. Në vit vdesin 50 milionë njerëz nga uria, jep faktin e thatë poeti, ndërsa “bota ndërron lëkurën/ dhe trillon zot të hijshëm/ që të kthehet besimi”. Kështu, në çdo rast, ironia shfaqet në emër të së vërtetës dhe aspak si një pozicion komod i distancuar i një poeti që e kundron botën, me sy mefistofeli.
Duke i qëndruar kurdoherë besnik trajtimit të përanshëm të lëndës poetike, Rr. Dedaj përdor jo rrallë edhe paradoksin në harmoni me ironinë e metaforikën e dendur, po dhe në funksion të tyre: “Mbylli veshët me dyll/ dëgjoje fishkëllimën në pyll”, “n’tym/ mundeni me lehtë ta lexoni/ emrin tim”, “Të pishë ujë në këtë krua/ etja gjithnjë më e madhe”. Shpjegimi dhe qëllimi i vargjeve paradoksale mund të kuptohen disa herë vetëm në kontekstin e poezisë, jashtë këtij konteksti mund të tingëllojnë absurdë.
Një tipar që bie menjëherë në sy te poezia e Rr. Dedajt është edhe karakteri aforistik i mjaft vargjeve. Flakja e pjesëve të tepërta të fjalisë, ngjeshja e shtrydhja në maksimum për të mbetur në varg ajo që është thelbësore, e kanë çuar drejt formave lakonike të shprehjes. Po ky tipar, më tepër se pasojë, është synimi i vetëdijshëm. Në qoftë se me “shkapërderdhjen” e “fragmentarizmin”, poeti herë-herë sikur shkërbën ëndrrën, me shprehjet aforistike gati të gurëzuara sikur shkërbën proverbat, kapuçat, gjëegjëzat që burojnë aq natyrshëm, me rimë e pa rimë, nga goja e popullit. Ky tipar do të ishte shprehje e një cerebraliteti të pashpjegueshëm, sikur vargjet të mos ishin konstrukte të mirëfillta poetike me konceptim e mjete figurative adekuate: “Nënshkruan me gisht/ e fshin me bisht”, “Mundohesh të mbash rërën/ s’e zë as ujin, as rërën”, “Zogjtë vetëm kur fluturojnë/ i përngjajnë lirisë”, “Kryeneçësia vepron me kalë/ urtësia vazhdon në këmbë”.
Gjatë ligjërimit poetik, në poezi të ndryshme Rr. Dedaj kalon sa në vetën e parë njëjës, ku shpesh identifikohet me heroin lirik (“Unë jam ai kalorësi i erërave të kuqe/ që gjithmonë ka vrapuar/ më shpejt se dhimba e vet”), në vetën e parë shumës (“Mund të na marrin valët/ të mbesim pa mendime./ Si të kthejmë nga harresa/ me emër e mbiemër”), ku kemi shprehjen e ndjenjave dhe të mendimeve dhe qëndrimin e një kolektiviteti me të cilin e njëjtëson veten poeti. Ligjërimi në vetën e dytë përdoret zakonisht nga poeti për të krijuar marrëdhënie të ngrohta, intime me personin ose objektin të cilit i drejtohet (“Vetëm ty s’të pranon harrimi/ historisë s’po i vdes mallëngjimi”), po në ndonjë rast edhe për t’u distancuar prej tij (“Zbrit nga skena mik i t’paqenave/ vetëm ylli yt di të përkulet/ lulet nuk çelin në mes gishtërinjve…”). Disa herë merr trajtën e sentencës a të këshillës (“Le t’i bartë koka këmbët/ jo këmbët kokën” ose “Mashtrimi le të luajë/ me zemrë e vet/ e ti mos vë pikë ku duhet të vazhdosh”). Kush është personi që i drejtohet poeti me “ti”? Lexuesi, njeriu që ai do, i njëjtë me gjakut e tij dhe që ka besim tek ai? Autori nuk e thotë për ta zgjeruar gamën që do të përfshinte dëftori “ti”. Ligjërimi në vetën e tretë, që është më i shpeshtë, zakonisht përdoret kur poeti përsiat rreth një dukurie ose objekti. Në funksion të brendisë, ligjërimi kapërcen nga veta e tretë në vetën e parë, nga veta e parë shumës, në vetën e dytë njëjës etj. edhe brenda një poezie.
Rr. Dedaj nuk ka paragjykime lidhur me vlerën e metrave e mjeteve te tjera metrike, megjithëse vargu i lirë mbizotëron në të gjitha përmbledhje e tij poetike. Edhe në ato poezi ku kemi vargje të rregullta të çlirta, rimat mungojnë, ashtu siç shfaqen befas rimat e puthura edhe mes vargjeve të lira.




Kur takohesh me veten

Fakti që Rrahman Dedaj nuk shkëputet për asnjë çast nga bota e bashkëvendësve të tij, me të mirat e këqiat e saj, brenda e jashtë Kosovës – është një tregues domethënës i lidhjeve të tij të qenësishme shpirtërore e morale me popullin e vet. Si poet, ai është i vetëdijshëm se çdo shkëputje, qoftë e pjesshme ose e përkohshme, do ta kthente në një gjethe, sado e bukur të jetë, me të cilën do të loznin erërat e përbindshme e dinake të botës.
Në fund të ciklit “Kumbonaret e kohës”, poeti pyet: “Në cilën rasë t’i lakoj emrat: toka/ njeriu/ dashuria?” Gjithë vepra e tij poetike i përgjigjet: Në të gjitha rasat, sepse ato tri fjalë janë kthyer në kryemotive ose më saktësisht, në tri shtylla vertikale që mbajnë më këmbë ngrehinën e veprës së tij poetike.
Që në librin e parë “Me sy kange” (1962), poeti vërteton me vargje të thekta e të ndezura me dashuri edhe mallin për rrënjët e jetës së vet, edhe nderimin e krenarinë për to. Nëna e ati, djepi e kulla, fshati e bashkëfshatarët, bjeshka e lumi janë ata që e kanë krijuar shëmbëlltyrën e tij, gjithashtu, edhe vetë ai nuk mund ta kuptojë veten pa ta: “Në grushta bukën e krypën i ruej,/ në sofrën e shtrueme – zemrën/ gatue me trimni e besë./ Djepi i vatrës që ruen lulakun tim të këputun,/ Sa herë kam vdekë në bebëzat tuaja,/ fëmi plot vaj!/ Unë jam filiz i bimës në këto male,/ që flas me gjuhën e bjeshkëve…” (Djepi im).
Ndarjen me vendlindjen heroi lirik e përjeton si tragjedi të vërtetë: “E randë ësht nata e sodit -/ ma e randë se nata e vdekjes/ … Të randa janë sonte zemrat që flakën e votrave u fike-/ lumë i pikëllimit”. Por ja një zë që del nga thellësia e ndërgjegjes së heroit: “S’mundesh me marrë krejt zemrën me vedi!/ - Rënkoi përmallshëm djepi”. Kjo e vërtetë është tronditëse, po që ia lë hapur derën shpresës për t’u kthyer rishtas, se zemra mund të kujtohet si e tillë vetëm kur është e tërë.
Vendlindja me forcën e vet të papërballueshme magnetike tërheq shpejt a vonë bijtë e saj. Kjo vepron te çdo individ, pavarësisht sa kthehet në realitet: “Në fund do të fryjë/ erë e vendlindjes/ do të gurëzohem/ me fytyrë kah fëmijëria”. Sepse, siç arrin në përfundim poeti me një metaforë tepër origjinale e autentike: “Bota sillet e sillet/ në bri cjapi/ e bie kur buron Llapi”.
Kthimin në trojet e veta poeti e quan me të drejtë kthim në vete, sepse siç e porosit bota alegorike: “Këtu është vargu yt dhe vdekja jote e qetë”. Pra, burimi e brumi i frymëzimit dhe kryerja me nder e misionit si njeri e qytetar, e fundit të ëndërruar. Ai është i bindur se “Vetëm në gurin tënd/ nuk do të mbetem/ mbishkrim i palexuar”. Kjo metaforë domethënëse na sugjeron idenë atdhetare se lufta, puna, gjithë veprimtaria e njeriut do të ishte e pakuptimshme, rrjedhimisht dhe e pavlerësueshme, e konceptuar jashtë vendit e popullit të cilit i kushtohet, larg interesave të tij jetikë. Prandaj, poeti në një vjershë tjetër, duke e ngritur “gurin” në simbol na fut në botën e mrekullisë: Ta kthejmë gurin n’vend t’vet/ që të mund të rritet”, për të na rrezatuar fuqinë misterioze të truallit të vet shumëshekullor.
Ky është shkaku që poeti u kthehet e u rikthehet në mjaft vjersha gjithmonë me mendime të reja temave të vendit të vet, Ibrës, Fshatit të Poshtëm, bashkëfshatarëve e pleqve të Fshatit të Poshtëm, si një pasqyrë ku sheh e gjykon fytyrën e fatin e vet, duke i shndërruar në një lejtmotiv krenarie e brengosjeje, dashurie e nderimi. Në këto vjersha, krahas portretizimit poetik të bashkëfshatarëve (“Pleq të Fshatit të Poshtëm/ që ia dini pleshtit kërthizën”, ose “Nuk të preku as zoti, as djalli/ as e Bukura e Dheut./ Mbete të rritesh vetëm/ e të vdesësh kur të duash/ Duke kërkuar fatin/ të mbet prapa shpine”), poeti na jep edhe filozofinë e tyre popullore (“Një dru i lartë të thërret në majë/ ti i rri këmbëkryq në rrënjë” ose “zogjtë vetëm kur fluturojnë/ i përngjajnë lirisë”, ose “Të mos harrojmë fjalët/ që na mësuan të heshtim”, ose “As më jetove/ as të jetova/ I tha jetës/ Më rrove, të rrova/ brisku i berberit”). Nuk është vështirë të vërehet se shpesh poeti integrohet e identifikohet me këtë urtësi.
Duke variuar problemin e shtruar drejtpërsëdrejti dhe pa mëdyshje nga Azem Shkreli, në poezinë “Njerëzit”: “Sikur të takoheshim me vetveten sy për sy/ do t’putheshim, apo kishim për t’u pështy?”, Rr. Dedaj këmbëngul se “Me veten duhet të takohesh/ si me bukën/ si me fëmijën si me ujin/ se na dënojnë fjalët/ e nuk na njohin/ gjymtyrët tona”, tjetërsohesh përndryshe.
Duke u shprehur në mënyrë të figurshme e sintetike, kritiku Ali Aliu thekson: “…më karakteristike më janë dukur dy burime që ujisin muzën poetike të Rrahman Dedajt: ai i odiseadës kombëtare që e nxit fluturimin e imagjinatës krijuese deri te lashtësitë e padukshme, deri te sferat që kufizojnë me mrekullitë mitologjike dhe kroi që mbase nuk shterret kurrë e që ngaherë vjen për të freskuar rishtazi, i botës dhe i kujtimit fëmijëror”.

Duhet besuar ajo që s’di të gjunjëzohet

Në poezinë e Rrahman Dedajt e shkuara dhe e tashmja shpesh perceptohen si një e vetme, ndërsa e nesërmja ngrihet si një mur që duhet kapërcyer ose, në rastin më të mirë, ekziston pas një horizonti të turbullt që më tepër ndihet sesa imagjinohet nga poeti. E megjithëse nuk kemi të bëjmë me një optimizëm të hapur, të shtirur ose të rrejshëm, gjithashtu, nuk kemi kurrfarë pesimizmi ose doza sado të vogla të tij. Kjo është një fitore e jetës e mbajtur gjallë nga vetëbesimi, do të thoshim, gjenetik i shqiptarit. Në bashkëbisedim me shekullin e tij, poeti i thotë: “Ke pasë zemrën e plumbit/ dhe peshën e vdekjes/ … Toka në vazhdim i ka mbulue eshtnat/ pa i thirrë n’emën as gjuhë”. Kjo është e vërteta historike. Shekulli i njëzet i gjymtoi shqiptarët dhe atë që s’arritën ta bëjnë shekujt e mëparshëm, synoi ta realizojë ky. Po shqiptari, pa e harruar këtë përvojë, shikon me sy të qartë perspektivën, të ardhmen: “Kangën tande në ballë e kem shkrue-/ le të lexojmë bindjet në vazhdim”. Fati historik, thekson poeti, ka peshuar në anën e kundërt të shqiptarit të Kosovës, po ai nuk i është nënshtruar asnjëherë këtij fati, madje e ka sfiduar guximshëm atë, pavarësisht se mbeti i persekutuar e i përndjekur, i pashkollë e i mashtruar. Përkundër këtij fati, ai mbijetoi si i tillë, i mbushur me arsenalin e hidhur të përvojës shumëshekullore, po dhe me besimin e çuditshëm që buron nga kjo përvojë. “Po i vjen rrënjës trungu/ po i lidhet trungut rrënja”.
Me një metaforë të goditur të krijuar sipas modelit të rrëfimit popullor, poeti krijon një paradoks kuptimplot: “Pimë kafe të lajmeve taze/ lajme të përsëritura pimë”. Prandaj, për të zbuluar e njohur të vërtetat e botës, jep porosinë e thjeshtë: “Njerëz, lexoni njerëzit/ në vend të gazetave”, kurse “Veten do ta masim vetë/ pa na matur bota”.
Poeti nuk është një ëndërrimtar i rëndomtë romantik. Ai e di mirë se “Ndjenja e rrejshme/ është iluzion qelqi që thyhet”. Megjithatë, besimi te virtytet njerëzore, te dinjiteti vetjak, shoqëror e kombëtar, te përpjekjet e përjetshme për drejtësi e përparim është i qenësishëm në mbarë opusin e tij krijues. “Duhet besuar – bën thirrje poeti – se vazhdon të ecurit vertikal/ se ka dashuri/ ku nuk hyjnë tanket”. Se beson te e drejta, te njeriu i urtë i popullit, ai rrëfen: “Veten e ndave më dysh/ me njërën pjesë më arnove/ me pjesën tjetër më gjykove”. Në raportin e vlefshmja – e pavlefshmja, e rëndësishmja – e rëndomta vepron pamëshirshëm procesi i përzgjedhjes si në dukuritë natyrore, ashtu dhe në ato shoqërore: “Ç’ka rënë nga kujtesa e popullit/ nuk e pranon historia” dhe “Vetëm kur harrohen/ gjërat vdesin”. Këto dëshmi poetike janë aq të vërteta, sa dhe e vërteta e përjetshme “çdo lindje që përsëritet/ vdekjen e mashtron”. Në këtë mënyrë poeti afirmon idenë e vazhdimësisë së jetës që triumfon jo vetëm në vargjet e poetëve, po në radhë të parë në realitetin e painjorueshëm. Njeriu i gjallë mbart në vete si trashëgim jo vetëm gjakun e ngjashmërinë e brezave nga ka rrjedhur, por edhe kujtimet e të parëve, qofshin këto edhe të hidhura ose të dhimbshme. Prandaj poeti këmbëngul: “Asnjë gjurmë mos e fshij prej ballit/ se vret kujtimet/ e atyre që prehen në tokë”.
Figura e punëtorit shfaqet valë-valë në poezinë e Rr. Dedajt, edhe pse motivet e fshatit janë mbizotëruese. Vjersha të tilla si “Fqiu im në punishten ndërtimore”, “Miku im xehetar i vjetër”, “Dera e një miniere”, hedhin dritë mbi tiparet e veçanta të njeriut të punës. Punëtori i Rr. Dedajt është realist e veprues: “S’u lind nën yllin e mirë/ dëshiroi ta krijoi yllin e vet/ tha, duhet të të ndjekë/ jo ta ndjekësh fatin”. Kjo vetëdije për forcën e tij si krijues i fatit e i botës është gdhendur në vargje lapidare: “Nuk kemi kohë të flasim/ duhet të vrapojmë” ose “Ta zëmë peng të sotmen/ të mos na ikë e nesërmja”. Dhe këtë dinamizëm jetësor e shpirt veprues, poeti e sheh të mishëruar te punëtorët, që ai me krenari i quan miqtë e vet.
Duhet besuar ajo që nuk gjunëzohet. Ky mesazh buron natyrshëm nga poezia e Rr. Dedajt, se siç shkruan: “Ai që nuk lind frikësohet/ ajo që u frikësua u gjunjëzua”. Dhe pikërisht nënshtrimin nuk e ka pranuar kurrë shqiptari. Toka, si objekt dhe simbol është e pashkëputur nga nëntoka historike, dashuria për jetën, nga lufta e përjetshme për të mposhtur fatin e mbrapshtë e për të mbijetuar si njeri bash në këtë tokë, njerëzorja e progresivja si shprehje e natyrës së shqiptarit nga trajtat e kanonizuara e të konservuara të së keqes shoqërore që është injektuar ose ushqyer nga elementet e forcat e huaja për interesat e tyre. Poeti nuk himnizon, po as nuk mohon; nuk ngurron t’i nxjerrë në shesh faktet, t’i përqasë dhe t’i kundërvejë ato. Po ai nuk është as objektivist, as indiferent. Duke iu ruajtur gjykimit thjesht logjik ose rolit oratorik, gjithsesi e shpreh qëndrimin e vet ideoemocional qoftë dhe të nënkuptuar. Kështu poeti ka aspiruar të shprehë atë që është thelbësore në ekzistencën e bashkëvendësve dhe, në një rreze më të gjerë, të bashkatdhetarëve të vet.
Poezia “Protesta e lulemalit në saksinë e dhomës sime” është një alegori që në pak vargje të thjeshta flet shumë për atë që njeriu në kushte të caktuara e ka dhe s’e ka, ose ka iluzionin se e ka dhe befas sikur zgjohet nga një gjumë e fiton vetëdijen e gjendjes së vet reale. Dhe protesta e tij është e vetvetishme, e paimponuar, prandaj me të drejtë këtë poezi mund ta quajmë metafora e protestës: “Ç’bëj në këtë saksi qelqi/ as era, as vera, as shiu./ Liria ime është diçka tjetër”. Dhe ja pyetja sa emotive aq dhe racionale: “Ç’të bëj? Urtia ime është si fluturimi/ i zogut që vdes duke kënduar”.
Një pyetje të përafërt shtron poeti që në librin e parë “Me sy kënge” (1962) te vjersha “Lindja e shtrenjtë”: “Sikur të kishte me folë kjo tokë me gjuhë nane,/ çka kishte me i thanë këtij brezi-/ çfarë kange kishte me të këndue ty,/ vocrraku im,/ çka kishte me i thanë fisit tonë?...” E rëndë është vdekja, po edhe më e rëndë lindja e një njeriu në shtrëngatat e kohës, ku duket e pamundur të mendosh për të sotmen, pa le pastaj për të ardhmen e qenies tënde si njeri e si etni, i dalluar nga të tjerët: “Vocrraku im,/ shtrenjtë e kam pague lindjen tande/ dhe një vend në sofër të bukës”. Po dhe pas çerek shekulli krijimtarie poetike te libri “Fatkeqësia e urtisë” (1987) Rr. Dedaj tregon se besimi tek e ardhmja është një betim para vetes, para njerëzve të vet e para botës: “Asnjë fund nuk e pranoj,/ asnjë fund./ Fundin nuk e pranoj./ E mësova jo në përrallë,/ me një besim/ ku rritej ashti im”. Të mos pranosh asnjë fund do të thotë të pranosh objektivisht në mënyrë dialektike vazhdimësinë e pafundësinë e jetës, do të thotë se uni subjektiv i poetit edhe pse është i vetëdijshëm për një fund të pashmangshëm biologjik të vetin, po aq i vetëdijshëm është për përjetësinë e optimizmin e përligjur historik të popullit të vet.
 
 
 

Në vend të hyrjes
 
Nga Fatmir Terziu


Rrahman Dedaj është një nga penat shqiptare që do të mbahet mend gjatë. Në strukturën e letrave shqiptare në Kosovë, emri i tij është i pranishëm në tërë aspektin global të fushës letrare. Që nga skicimet e deri tek rrëfimet me vlera, që nga artikujt e deri tek drejtimi i revistave. Kështu emri i tij shfaqet edhe në drejtimin e revistës “Jeta e Re”, Rrahman Dedaj në vitin 1973, ishte përpos emrave si Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Ali Jasiqi etj. Por ai është mbi të gjitha poeti që ndikoi bashkë me një grup tjetër poetësh në modernizimin e letërsisë shqipe pas luftës. Bashkë me poetët e tjerë, si Ali Podrimja, Din Mehmeti, ai solli risi të reja. Por a ishte vetëm poet Rrahman Dedaj?


Dedaj jo vetëm poet


Rrahman Dedaj është një nga penat shqiptare që do të mbahet mend gjat

Shkrimtarin dhe poetin e shquar shqiptar, Rrahman Dedaj, jemi mësuar t’a quajmë poet. Poetin më në zë të Kosovës. Jemi mësuar t’a vlerësojmë për poezinë e tij. Kanë shkruar dhe e kanë cilësuar sit ë tillë mjaft studiues, kolegë e kritikë. Por, atij në fakt nuk i është dhënë kurrë e drejta, kurrë nuk i është thënë se vepra e tij për fëmijë e rendit në majat e letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, pse jo edhe në piedestalin e letërsisë kontemporane për fëmijë në Botë. Pse e themi këtë me bindjen tonë duke lexuar dhe analizuar krijimtarinë e tij në përgjithësi e sidomos në këtë aspekt. Në analizën tonë do të argumentojmë me fakte dhe me detaje.


Në një nga njoftimet tejet dashamirëse të stacionit televiziv RTK veç lajmit tejet pozitiv “U promovua kompleti i veprave letrare të Rrahman Dedajt” thuhet: “Rrahman Dedaj, e ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike, duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare.” Edhe kur u promovua vepra e tij letrare thuajse ishte e njëjta rrjedhë. Në promovimin e kompletit të veprave letrare të Rrahman Dedajt, të botuara nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” dhe e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, thuhej se pena e tij ishte edhe rrëfimtare e ndjeshme. Kështu mjaftojnë vetëm pak fakte të ndalim hovin tonë për ta kanalizuar krijimtarinë e tij thjesht si të ‘poetit Dedaj’. Vërtet ai ishte dhe mbetet një poet i veçantë, por ai ndërtoi mjaft bukur dhe këndshëm edhe në prozë.


Shkrimtari Rrahman Dedaj krijimtarinë letrare e filloi herët, në kohën kur në Kosovë ishin të paktë njerëzit që merreshin me të. Të gjitha veprat me poezi për të rritur dhe për fëmijë, janë përfshirë në botimin e tplotë të veprës letrare në katër vëllime.
Rexhep Qosja: përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt

Duke shtuar më tej lexohet: “Akademik Rexhep Qosja, tha se përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt, me një thellësi kuptimore dhe me një figurshmëri, pothuajse të paprovuar më parë në poezinë shqipe.” (po aty). Dhe më tej ndriçohet duke cituar, Qosen, që shprehet: “Rrahman Dedaj është poeti, i cili me thellësi dhe figurshmëri të veçantë e ka kënduar fatin e Kosovës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. E ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe më në fund të gjitha trojeve shqiptare” (Qosja, po aty). 

Në tërë këtë kuptohet qartë e harruara ose e anashkaluara e arritjeve dhe vlerave të Dedajt në fushën e krijimtarisë prozaike për fëmijë. Po të marrim si shkas vetëm njërin nga tregimet e tij për fëmijë, pikërisht tregimin “Si lindi tregimi” shohim qartë se shkrimtari Rrahman Dedaj, nuk është vetëm poeti që këndon bukur dhe rrjedhshëm, por edhe shkrimtari që vë këngën e tij të mrekullueshme të fjalës shqipe në gjuhën e moshave të ‘urritura’ për stilin e tij. Ja se si shkruan ai në këtë tregim: “Na ishte njëherë një përrallë, e në përrallë një princeshë e vogël. Princesha kishte në kokë një kurorë të argjendë e në gisht një unazë të artë. Thesari i saj më i madh ishte fjala. Fjala e saj ishte e ëmbël. Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të ketë kurorë të argjendë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël. Por, një ditë ngjau diçka e papritur. Fëmijët më nuk deshën të mendonin për përrallën. E harruan shumë shpejt. Kush ishte fajtor për këtë? A thua, fëmijët i hidhëroi princesha e bukur, apo këta ia kishin zili?! Jo as njëra as tjetra. Por ngjau diçka fare e çuditshme. Në përrallë hynë njerëzit e këqinj-kusarët. Ata deshën t’ian marrin  princeshës kurorën e argjendë dhe unazën e artë. Atëherë princesha iku prej përrrallës. Në përrallë mbetën vetëm kusarët…”



Vlerat e Dedajt


Duke vazhduar sërrish me vlerësimin ndaj veprës së Rrahman Dedajt, paharruar idetë e reja që përshkojnë poezinë e Dedajt, duhet shtuar dhe vlerësuar se ai e ka sjellë Evropën në poezinë tonë shqipe. Akademiku Sabri Hamiti, shprehet se poezia e Rrahman Dedajt, e shkruar për një gjysmë shekulli, ‘nuk ka ndërrime të mëdha.”. Hamiti shton më tej se “Ajo plotësohet e zgjerohet nëpërmjet varianteve për të dëshmuar një origjinalitet.” Ky identitet poetik përbëhet nga shprehja spontane, ndjeshmëria e figura e parë elementare. Nënvizojmë që poezia e Dedajt nga fillimi deri në fund e ruan karakterin e vet themelor, flet qetë duke figuruar, thotë më thellë duke sugjeruar, kërkon afri e dashuri, e cila kalon nga niveli i mallit në nivelin e mallëngjimit.


Por edhe pse nuk është lënë pa u përmendur edhe krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Dedaj, pjesëmarrësit janë mjaftuar të shprehen, se “Rrahman Dedaj është një nga shkrimtarët serioz të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, brez që bëri përpjekje që krijimtarinë tonë letrare për fëmijë ta barazojnë me atë të letërsive më të zhvilluara moderne për fëmijë.” Dhe këtë nuk mund t’a themi thjesht si një përpjekje të Dedajt. Vepra e tij është arritje dhe vlerë. Ajo flet qartë. Tregimi i cituar në vazhdim përshkon pa dorashka këto vlera, këto arritje në zbukurimin e tij filozofik. Ai është mjeshtër në gatimin e filozofisë që flet bukur edhe për këtë moshë: “Kështu këtë përrallë e harruan fëmijët, por tregimi për princeshën nuk mori fund.


Ajo doli në breg të detit dhe takoi peshkatarët. Ata ishin njerëz të mirë. Ia dhanë një barkë me margaritarë dhe i thanë të jetëojë në mesin e tyre dhe bashkë të shëtisnin në det.


“Ju jeni shumë të mirë. Puna juaj është e ëmbël, rrjetat tuaja janë të dashura, por mua më duhet të shkoj dhe të hyj në përrallën e bukur, që e duan fëmijët”, tha princesha.


Atëherë e mori barkën me margaritarë dhe u nis nëpër detin e kaltër. Peshkatarët e përshëndetën prej bregut të detit me shamia të blerta dhe i uruan lundrim të këndshëm.


Ajo largohej e prej së largu i shkëlqente kurora e argjendtë dhe unaza e artë. Rrezet që binin mbi të, shndërroheshin në ylbera.


Para se të arrinte në bregun tjetër, princesha dëgjoi një këngë. Ajo ishte kënga e tre vocërrakëve të mirë dhe, të armatosur me harqe dhe me shigjeta. Kishin dalë për t’i vrarë kusarët dhe për të shpëtuar princeshën. Kur barka iu afrua bregut të detit dhe zbriti princesha e vogël, vovërrakët i këndonin dhe i buzëqeshnin. Ajo zu të shpërndajë margaritarë dhe t’u flasë me ëmbëlsi:


“Do t’i thërrasim gjithë vocërrakët e botës!”


“Të gjithë do të flasim ëmbël!”, thanë fëmijët.


“Dhe do të këndojnë si ju”, shtoi princesha.


“Kjo do të ishte më mirë se në përrrallë. Ky do të sihte tregimi më i bukur që është shkruar deri më tash”, buzëqeshën fëmijët.


“Në tregimin tonë s’kanë për të hyrë më kusarët, as njerëzit e këqij”, - shtuan fëmijët.


Dhe kështu në vend të përrallës, lindi tregimi i bukur për tre fëmijët e mirë dhe për princeshën me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë. (Dedaj).



Kështu duke u ndikuar dhe mahnitur fuqimisht me leximin e Rrahman Dedajt në këtë fushë, natyrshëm fjala është për vendin e merituar të krijimtarisë së tij. Pra, vepra e tij, më saktë letërsia për fëmijë nuk duhet të jetë shkak për “etërit e letërsisë sonë didaktike”. Ne jetojmë me letërsinë e tij për fëmijë dhe më tej…Jo më kot e kam përfshirë edhe në Antologjinë e vetme poetike në Gjuhën Angleze, “Eagles Voices”, që ndodhet edhe në British Library, këtë figurë të nderuar të krijimtarisë shqiptare.



Figura dhe jeta e krijuesit


Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujeves, Kosovë. Shkollën fillore e kreu ne Podujeve, shkollën normale dhe fakultetin filozofik ne Prishtine. Me letërsi filloi te merret qysh ne bankat e shkollës. Ka botuar keto vepra: “Zogu dhe Kulla”, “Me sy kenge”, “Simfonia e fjales”, “Balada fshehur”, “Etje”, “Fatkeqesia e urtise”, “Kryqezim hijesh”, (poezi per te rritur). Pastaj përmbledhje të tregimeve “Fshehtësia” dhe “Medaljoni” si dhe përmbledhjen e vjershave për fëmijë “Dy liqej”. Ai është edhe autor i disa tregimeve për fëmijë. Me tregimi për fëmijë “Si lindi tregimi” ai ka kristalizuar edhe një të pathënë për krijimtarinë e tij, duke e rradhitur atë mes emrave të shquar, jo vetëm nëmesin e poetëve shqiptarë, pore dhe në mesin e një mjeshtri të letërsisë për fëmijë. Është parathënë në një nga studimet e Nehas Sopajt se “është vështirë të emërtohen të gjithë, por më të njohur janë M. Kuteli, R. Hoxha, O. Grillo, A. Islami, Rr. Dedaj, I. Kadriu etj, të cilët e kanë pasur horizontin e letërsisë shqipe me përrallat e ritreguara dhe fëmijët i lexojnë me kurreshtje” (Sopaj, 2007:70). (Lexo: Letërsia për fëmijë, Nehas Sopaj, 2007, botim i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit.)

Ali Podrimja: Poezi


Ali PODRIMJA

UNË BIRI YT

Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.





EPIKA

 Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!




ANKTHI

 Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë...

Caqet e tua herët t'i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m'i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje...

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n'ajër?
Nipave ç'tu them për këngën time të vdekjes?
- Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t'më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim - toka e mallkuar..




ME JETUE

Tim bir, Lumit

Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh


Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.


Metafora e Jetës Sime

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

plaga ime
le të marrë
frymë thellë





ME QENË

 Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është

Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është

Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë




TI DHE UJI

Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd


(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)


Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.





NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

 Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!




PARISI, VENDLINDJA

 Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.




RËNKIMI

 Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.





POEZIA DHE VASHA
Ali Podrimja

Ajo shkruante poezi erotike
U ngjante vitrazheve, frymës
Kish shpirtin dhe bukurinë engjëllore

Para se të bënte dush
Plaçkat i hidhte nëpër sallon
Dhe shikonte trupin në pasqyrë

Mos ka mbetur edhe diç

 Mund të ndërpritet komunikimi
 Mes saj dhe atij tej xhamit
 Që shikonte me sy të mjegulluar

Ne bisedonim për të bukurën
Dhe sensibilitetin njerëzor
Për kohën që na mungonte

Atë që prekte shkaktonte vërshime, tërmete
Dhe atë zërin e brendshëm
Që duhet mbrojtur

Një nga një ia ktheja plaçkat
Para sa kohësh të shpërndara
Në hapësirën blu

Dëshironte të ndjejë zgjimin e trupit
Të shëndetshëm, të pastër
 Ç’të heqë më dorë e Krijuesit

(2010)
 
 
 
HARTA E GRISUR

Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
                        e të qenit tonë

Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atdheu e sa dete e lagin

Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im

Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues

Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza

Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku

Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar

Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë

Hapet harta e grisur e atDheut

(Pragë, 1986)
 
FUSHA E ZEZË

Ku të lëshoj rrënjë
E të bëj pakëz hije
Se varre e varre e varre
Mbi to zgjohemi e dashur
Shkundim dritën e verbër
Të lexojmë fundin e ëndrrës
Nën një qiparis

(2005)

MARATONI NGA ILIRIA

Është një engjëll që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
Se në Ulpianë
U gjet tërfili me katër fletë

(1999)
 

TEK IA KALOJA AKILIT

Këmbëzbathur zbres Malit të Vetëtimave
Qetësinë përrallore të Villa Walbertës
Ta hap në Gadishullin Ilirik
Çast të lumtur të kujtoj nga Golgota
Në shpinë Breshke Arbërie
Akilit tek ia kaloja

(Feldafing, 23.7.1992)
 
 

NJË LOZË SEÇ LOTON

Tatëpjetë Golgotës zbret
                hija e Njeriut
Është Çami, këngëtari i verbër i Sulit
Me një vravashke ndritë
                rrugën e errët
Kërkon shtëpinë në lagjen Plaka
dhe varret e të parëve
Buzuku do të men
për komandant Arvanit
Nën çati seç loton lozë e tharë.

(Athinë, 1986)
 

GUASKA

Dikur ishte shfaqur Shkretëtira
Dhe kisha dëgjuar vajin e Burrit të  Dheut

Kisha përvjelë pantallonat
Pas zërit të fyellit isha nisur

Nga fundi i mistershëm  tej horizontit
I' guaskë seç  e kishte nxjerrë Uji i Madh

Kisha filluar ta hapë dhe Guaskë pas Guaske
Zbuloja fatkeqësitë e dherave të Arbërisë.

(Vlorë, 1992)
 

LITARI I ANKTHIT

E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë

Nuk e mban litari as e lëshon
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë

E s’e lëshon as e mban një litar

(Ulpianë, 9.10.2000)
 
 

LUFTA IME

Ra nata, tej vringëllin
Kur te duan me ndëshkojnë
Ligji nuk ekziston për mua
Timin prandaj e shkruaj
Thyej xhamin e errët
Mes meje e forcës së verbër

(Këln, 1 nëntor 1998)
 

VAJI PËR KOSOVËN

Na pate apo te kishim

Ne toke as ne qiell
mori e uruar

Hap shuplaken dhe peshoje
Piken e gjakut tënd

(Munih, 1998)
 

DRIDHME

Ne Kosove
Vetëm vdekja
nuk vonon

(Munih, 1999)
 

MJERIMI NJERËZOR

Edhe Qeni
nuk kafshon
nganjëherë
e nuk është Njeri

Po Njeriu
nuk le gjë
pa gëlltitur
e nuk është Qen.

(Prishtinë, 1980)
 
 
KOMETA E HARRUAR

Gjithnjë e më pak i ngjaj vetes
Dje e varrosëm poetin Jamarbër Marko
Tirana e zbrazur dhe më bëhej se
një peshkaqen kërkonte gjahun e vet

Jam i huaj gjithnjë e më shumë
Me kockë e mish më kapërdinë zbrazësia
E kërkoj gurin tim dhe ik
nga Uji i Madh që rrah brigjet e mia

Nuk besoja se kaq shumë vetmi
Tjerret metropoleve shqiptare
Ku ndonjë mbret i minjve
Hedh dhe duqin e fundit të cigares

Duhet ikur duhet ikur miku im
Para se t’më zërë nata e thikave

Në Lesbos tek kërkoj Safon
Kokën e poetit të panjohur nga Australia
E pashë si fluturonte në qiellin grek

Komet e harruar nga koha e Homerit.

(Lesbos, 8/09/2010)


FLUTURIMI I FUNDIT

Paqen e përjetshme ma fale imZot
Kërkoj një vend të vë kokën
Mbi bos dheu ku shirat
nuk pushojnë

Në kujtesë të mbyll fluturimin e
fundit të fluturës
Para fjalës e shpirtit
tek digjen në flakën e qiriut

Faleminderës imZot që nuk më turpërove
mua rebelin e mbretërisë së përhirtë
qe ik tek fishkëllon andej fryma

(Ulpianë, 1998)
 

DËGJOHET `I KAMBANË

Jeta nuk është
Është vdekja
Që fshihet pas
Therres së vet

Pret të troket
Diku dëgjohet
`i kambanë

(Berlin, 1989)
 
 
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën.

Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit: Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,) Diellin tënd verbuar e kanë tytat E vatrat shkimbur deri më një... Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.

Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999). Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.

Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Vdiç me 21 korrik 2012 në Francë