Samstag, 27. April 2013

Musa Ramadani: Poezi

 
MUSA RAMADANI

KËSHILLA MIKUT TIM

Mik
Shtëpitë tona si gota cakrrohen
Gjerdhe as dyer përmes s’kmi bërë

Dielli
Udhën deri te ne kur e gjen
Gëzim kuj më tepër i bjen

Ty apo mua ?

Mik
Livadhet tona si dashnorë puthen
Gurë a mexhde askund s’ kemi vënë

Shiu
Sixhim teposhtë kur ligron
N’cilin më shumë fryt lëshon:

N’tëndin apo timin?

Atëbotë
Kujtohu mirë lum miku im
Përse prore më bën të druaj?

Se për dallim o dredhim
Koha kaherë ka kaluar




JO, FAQET E PARA TË GAZETAVE S’ I LEXOJ

Brenga mendjen n’ marimangë ma pështolli
Tmerri zemrën n’ fole minjsh ma shndërroi

Faqet e para të gazetave
Kurr më s’i lexoj

E rëndë është ajo peshë fjalësh
Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

I kam lutur sytë që fjalën
Luftë të mos e venerojnë

I kam bindur veshët që fjalën
Mordje kurrë t’mos e dëgjojnë

E kam urdhëruar gojën që fjalën
Gjak përjetë të mos e shqiptojnë

Se e rëndë është pesha e fjalëve
Si shi plumbi n’shpirt m’rigojnë

Dëgjomëni ç’ju them
Unë faqet e para të gazetave
Jo, nuk i lexoj kurrë më !

Gjersa njerëzit në bisha shndërruar
Shekullin e zjarrit s’do e kenë shëruar



 NJERIU KA NJË KOKË NJË JETË NJË DASHURI

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij !

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij !

Njeriu ka një dashuri
Fjalë ( vallë) e tepërt n’histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motive

Mos luani kurrë me dashurinë e tij !




VETËM NËNA VETËM


(Letër Nënë Symbyles që s’do t’i arrijë kurrë)

Jam imunizuar i tëri kundër harresës
Gjurmët e kujtimit s’mund t’m’i fshijë kurrë

“Atë ditë që shohim nënën të vdekur, fillon pleqëria”
- Aforizmën e një mençuraku veç ma rikujtoi
Vesa e papandehur në globin tim të gjallë


Jeta më mësoi të kuptoj mijëra shikime
E shikimi Yt i mbramë enigmë më mbeti

Nënë

Vetëm në ndarjene memece fare s’kam besuar !

Ato ditë befas sytë e mi shterruan, më fal
Dhembja m’ishte peshë më e rëndë se loti

E dije se shkrova vjersha e libra mbi mëkate
Në asnjë varg tëë lirë s’Të zura ngoje dot
Jeta Jote jeta ishte vargu më i bukur imi

Në bregun e fashës Ti më s’i ndien këto fjalë
As vajet që tërë jetës sime do të rigojë

Por...kundër harresës jam imunizuar i tëri
Kurrë s’mund t’m’i fshijë gjurmët e kujtimit

( Prishtinë, shkurt – mars, 1973)
 


 TËHUAJËSIMI

Mësyva për të satën herë këtë qytet
Pa ëndrralla e gjakime
Sall t’shkëmbej ndonjë fjalë me miq
T’ia uroj ndokuj martesën
T’ia përgëzoj familjen ndoshta
Ngushëllime t’i shpreh ndokuj
Po shokët luftonin me brengat dëgjova
Miqtë ishin dalldisur në pontë e poker
Të tjerët me se merreshin as që pyeta
U kujtova: mujat ishin ndërruar në kalendar
Dhe vitet pritnin të shumëzohen ndër vete
Në bujtinë udhëtarësh të rastit ktheva
Duke darkuar me vetveten në qindra pjesë
Njëri plot domethënie më shikoi e shikoi
Si një ardhës që befas sjell fatkeqësi
Tjetri vërente ashtu plot dhembshuri
Se si vetëluftoja pa mëshirë në vetmi
Portirit i kërkova dhomë me një shtrat
Duke thënë: do punoj, pa treguar frikën
Në qytetin e lindjes në qytetin tim
Dyer që happen oda që grishin s’kish

Atëherë në dhomën (më duket) numër 209
Ndieva se sa i rëndë qenka tëhuajësimi




MIQTË E MI MEMECË


 Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë
Të vegjël, të mëdhenj, të ëhollë, të trashë
Të bardhë, të zez, të kuq, të verdhë
Dërdëllis me ta netve si me vetminë
Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë
Më gjezdisin pa përtesë ndër kohëra e hapësira
Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien
Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time
Qëndrojnë heshturazi ndanë murit më vështrojnë
Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti
Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat
Zemrat u janë të hapura për shpalim
Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi
Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim
Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht
Në ndërrim motesh me tat ë vdekur a të gjallë –
Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

Bah, as miqtë memecë s’janë ngushllimtarë të mirë !



 MIQTË DHE HIJET E TYRE

Në cilën stinë vallë të marrësh udhë
Çfarë rruge dredhore të ndjekësh
Ku të ndalesh për pushim e një pikë ujë
Cili bisht gjarpri të zvarritet deri në krye
Kur të nisesh me njatë të verbtin besim
Është mirë të ndalet ora në fillim të shtegut
Busullën gjithsesi ta harrosh me qëllim
Natën të ecësh sin ë lojën symbyllurazi
Armën ta varësh në mur për kujtim
Fjalët t’i ruash deri në takim
Heshtjen ta bartësh si mëkatin deri në shpinë
Sytë të mos i ndërsesh si qentë e zgjidhur
Këmbët të mos i urdhërosh si ushtarë të gjorë
Duart t’i shtrish me shuplaka kthyer teposhtë
Kokën ta ngresh lart si krushku në dasmë
E në trastëne zbrazët kraheqafë të marrësh
Një libër të vogël për ta dëftuar kthimin

Se në vend të miqve të ardhëshëm e të rinj
Ngjet të tëp resin vetëm hijet e tyre



HISTORIA E PIKËS SIME

S’para unë s’isha veçse një pikë
Më pas u mërzita e u bëra presje
Aventura filloi brenda gjysmëharku
Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka
Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri
Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll
Gjysmë shekulli isha një zero e madhe
Në fillim të këtij mileniumi të tretë
Droj në mos do kthehem sërish nënjë pikë

( Më 30.8.1993)



 AS I MBYS TË DASHURIT E MI AS I NGJALLË

Njeriu e koha shpalojnë misteret
Mistike mbetet vetëm vdekja mistike

Ç’të bëj me një jetë e njëmijë vdekje
S’mund t’ju ngjall nga mjegulla
Pas katërmijë e pesëqind vjetësh
Si gilgameshi i lashtë e mitik
Mundtë provoj e të gjej ndonjë barishte
Kundër pavdeksisë ose amshimit
Por droj nëse në udhëkryqet e botës
Do të has papritmas ndonjë pasardhëse
Të nimfave sikundër ajo Sabita e urtë
Që të vërtetojë kotësinë e gjurmimit

Nuk dua t’i ngjall përsëri nuk dua
As t’i mbys nuk dua dot t’i mbys
Të dashurit e botës nga mjegulla

Misteret i shpalojnë njeriu e koha
Vetëm vdekja mbetet mistike vdekja

Vetëm vdekja nuk gënjrn në botë
Ligjëron nga përvoja Sadek Hedajati

(26.9.1979)

 

 POETIT TË AMSHIMIT
(Mikut, Beqir Musliut)

Kurdo që rrinim unë e ti, denim dhe të heshtnim
Nëse fjalët humbnin kuptimet, heshtja ua kthente

Më 24 qershor se si më humbe krejt papandehurazi
Në mos je fshehur diku siç e kishe shprehi dikur
Dhe do të gjendemi befasisht nëpër muzikën e sferave

Unë s’e mohoj vdekjen veçse edhe ringjalljes i besoj
Më humbe enkas hapësirave mistike e shumëpërmasore
Por edhe përtej “Librit të anatemave” do të të kërkoj

Ti do të më shfaqesh si një surprizë në pa(n)kohësi
Që sërishmi ta vazhdojmë në duet atë farë heshturime

( Ulqin, 27 qershor, 1996)

1 Kommentar:

  1. Më duhet vetëm të them këtë dëshmi, unë quhem Mariah Carey, u martova para 9 vitesh pa asnjë fëmijë për të, burri im më urrente dhe vjehrra ime më trajtoi aq keq, kjo më bëri të frustruar, erdha duke kërkuar në internet për ndihmë më pas pashë shumë dëshmi se si Dr dawn acuna ndihmoi shumë burra dhe gra, e kontaktova menjëherë në Whatsapp dhe ia shpjegova situatën time, ajo më premtoi të më ndihmonte dhe më dha disa udhëzime të cilat i bëra gjithçka në mënyrë perfekte. në fund të fundit ajo më kërkoi të shkoja në spital një letër 1 muaj dhe për habinë time isha 1 javë shtatzënë, por për momentin i jam shumë mirënjohëse sepse kam lindur djalin tim të bukur dhe unë dhe familja ime jetojmë në paqe dhe lumturi. tani, kontaktoni atë në Whatsapp. ( +2348032246310 )
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni martesë të qetë.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje, apo ndonjë gjë tjetër.

    AntwortenLöschen