Samstag, 27. April 2013

Mihallaq Qilleri: Poezi


MIHALLAQ QILLERI

SHQIPËRIA

 
Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.

Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë

Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.

Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!





R R U G Ë T

 
Konvecion i shëmtuar i hapësirës,
Rrugët shfaqen e shuhen si vetëtima
Në jetën tonë të përkohëshme, të zbrazët.
Thuhet se diku nisin e diku mbarojnë,
Si një fill i turbullt ëndrre e shpëlarë,
E njerëzit i lidhin pas vetes si milingona qeliza.

Rrugët janë kurthe të imagjinatës rurale
Limite të bardha pa kurfarë drithërime,
Siç erdhe dhe ike ti në jetën time..
Gjurmët, herë të përbaltura, herë të fshira
Nga shtrëngatat e erës, stuhitë e mendimeve,
Një plagë e lënë përdhé që thinjat i shton,
Kalbëzim ku nis rrugëtimin mosqenia.

Traga vijash gjaku që shprishen kobshëm
Rrëshqanorë nëpër shpate mendimesh,
Ikja jote një gëvishtja e një kohe pa udhë
Do të qëndronte fshehur si një gjarpër
Nën tokën e ftohtë e të lagësht..
Të mosekzistencës dhe heliumit helmues..

Takimi ynë një udhëkryq i shpërfillur ishte.
Edhe pastaj diku nxitove në hapësirën absurde;
Nëse do kishe ardhur, ikja do ishte klithmë,
Ndryshe askund nuk ke mbetur përtej së djeshmes..
Rrugët janë fshirë si vijat në bregun me dallgë.




ATLANTIDA

 
Hamendje tragjedianësh klasikë, historianësh,
Thira 1) , e heshur, e bardhë, enigmatike,
Katastrofën biblike në detin e kaltër e preh,
Shtyllat e Herakliut nuk shihen më askund,
Pallatet mbretërore të luksit dhe kasollet e skllevërve,
Kanë shuar zërat, grindjet, dashuritë, verën e derdhur
Dhe nën ca gurë të zymta, të mbytura
Në pluhurin e vullkanik përgjithmonë të varrosura.

Një qytetërim i çarë, i shqyer prej magmës përvëluese,
Zemra të thyera më dysh si shprishje bote,
Një dashuri e zhytur në thellësitë egjeniane,
Gëlon gjer tek unë nga dhimbjet zemërake të botës.
Ti nuk je më e imja, tokë, por copëtuar dhimbshëm
Prej luftërash të tmerrshme e llave të nëndheshme,
Vijon të tretesh në ajërin e thatë të absurdit.

Atlantida fantaziste vjen tek unë si copëtim shprese.
Qytetërimi i parë dashurisë së thellë i ngjante;
Njeriu i varfër nisi të lëngonte në humnerat
Vullkanike të zemrës së vet..

Shpërthimet janë shuar tashmë nën ujërat e kaltëra,
Përballë Trojës, ku shumë vite më pas barbaria do vriste
Dashurinë me luftë, e vullkanet njerëzorë do rrënonin
Qytetërime të dyshimta popujsh të çmendur…
______________
1) Thira, - emri i vërtetë i ishullit Santorini ku mendohet se gjendej Atlantida e lashtë.




S T R E H A

 
Për dore mbaje frutin e ankthshëm të marrëzisë,
Fëmijën faqekuq, të bukur si trandafil në maj,
Unë endesha i trishtuar në skajin tjetër të vetmisë,
Tronditur nga frika jote dhe mëkati – faj.

Ndriste një diell i shëmtuar, i nxehtë,
Vështimet e botës e bënin akoma më torturë,
Nuk kishte strehë të na mbronte aq lehtë,
Veç një kishëze që se kishim vënë re kurrë..

Unë dhe ti ulur ndënjëseve nën të rëndën hije
Dhimbshëm shtrëngonin duart në fshehtësi,
Ndërsa fëmija vështronte ikonat martire,
Sikur u lutej shënjtorëve ta mbronin ata tani..

Më thoshje zëulët se bota qe kupë helmi,
Dhe ti duhej ta pije vajtueshëm kështu,
Ne fajtorët ndëshkohemi një ditë prej qiellit,
Ndaj dashuria-mëkat do hedhur në humnerë diku..

Kupa-qiell e kishës me ëngjëj vizatuar,
Fytyra e fëmijës rob tronditur sa s’kish më,
Ti sy-lotë më shtrëngoje duart e malluar,
Nën atë strehëz shpirtrash pa gjak, pa zë..




PUTHJA E DIELLIT

 
Ε ngrohtë, e ngrohtë, si ëndërr
Magji lundruese nën qiellin prej degësh
E gjethesh fëshfëritëse
Unë e ti, Lumë i ditëve të mia,
Prekim e njeri-tjetrin trazojmë...
 
Jemi aq pranë tani sa kurrë më parë..
Vegime vezullese depërtojnë në rrjedhën
Blu të marrëzisë së turbullt,
Ashtu shtrirë me shpinë mbi gurin e bardhë
Mokërr e jetës rrotullohet përskaj meje,
Mërmërimë venitëse lulesh kokëulura.

Ç’më tregon ashtu symbyllur vetja ime?
Ku i shpie mendimet fluritëse kur
Gjithë nxitim e ankth lëviz drejt zhdukjes?
E di që në Detin e gjithësisë zbrazesh
Njerëzor, rrëqanor sa trëmbem e mbytem
Në mrekullinë e puthjes nga një copë diell.
E unë, shtrirë me shpinën e ftohtë
Mbi gurin e mundimeve sifiztike
Pres, pres, pres, në kush e di se sa vite,
Pres.. të zbrazesh diku brenda meje..




KUR MUNGON TI

 
Kur mungon ti,
Kapakët e buzëve thahen nga ajëri i thinjur,
I hidhur, si në një minierë qymyri, e
Sytë ulin qepallat e rënda,
Përtej viteve të ngrira.

 
Kur mungon ti,
Akacia mbi dritaren e dhomës sime të punës
Vyshket e gjitha, gjethe-e-lulerënë
E degët ngjajnë si këmbë të verdha
Ushtarësh kthyer nga Lufta e Gjirit

 
Kur mungon ti,
Drita ka vdekur në shpella trishtimi
E humnerash pa fund, e
Hëna e hedhur mbi pusin e qiellit
Coptuar shihet si monedha e asgjësë.

 
Kur mungon ti,
Skllavëria zbret në tokën e pluhurt
Të mendimeve barbare,
Me drithërima gjaku e mënçuri
Të fikur..

 
Kur mungon ti,
Heshtja perandorinë e vet krijon përdhunshëm,
Nëpër mijëra gërma – milingona
Që ngrijnë si ushtri e tharë
Në shkretëtirat e bardha
Të romaneve të papërfunduar.

 
Kur mungon ti,
Koha është vrarë diku në Luginën e Gjoksit!




P S H E R Ë T I M A

 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Dhe bri teje kjo frymë-furtunë,
Uraganë zbret prej qiellit
Në tokën e varfër të mendimeve.

 
Ti thua se psherëtima ime,
Sekondëshe sa një mal,
Tret besimin te dashuria
Dhe qiejt i ngushton sa një gropë
Ku plehërat e fjalëve mund t’i flakim.

 
Ti thua se psherëtima ime,
Ikën e vjen në ditë të mjergullta,
E në kohëra të qelqta shteron
Besimin e lodhur të pamundësisë
Hakmarrëse..
Ndërkoha jonë e madhe
Male me dashuri dhe diell ka në mes,
Të kuq me stuhi heliumi
Rrëke vigane avujsh përvëlues,
Flakë e fjalë kozmike,
Dhe drithërima magjike ekzistence.

 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Se një atom heliumi dergjet si insekt
I ngordhur tashmë
Në tokën e plehëruar të dashurisë sonë.

 
Njeriu diell jam e hija, sa një fije hije,
Pas më ndjek deri në shpërbërje..




K L I T H M A

 
Për një çast, për një sprovë, për një ankth.
Nga vetvetja ika i trishtuar.
Lëkurën e unit e zhvesha me dhimbje
Dhe tej, një hap,- jo më shumë, -
Nga frika qendrova ta shihja
Këtë qenie të boshatisur në hije.

 
Për vete mbajta rrënkimet, dyshimet,
Gëzimet dhe lotët mbi shpinë ngarkuar.
Dashuritë e venitura, zilinë
E botës për bukuritë e ndjera,
Pasurinë, ambicjet, kujtimet, lirinë
Egoizmin po mbillja në toka të mjera..

 
Matanë, po vdiste një qenie pa gjak,
Po vdiste lëkura e tharë prej lëngut,
Të zemrës dhe mendjes,
Po vdiste një pjellë e llahtarshme,
E askundit, si krim i fshehur prej pengut
Po tretej ngadalë i pandëshkuar,
Aq hapur pat jetuar, aq mjeruar.

 
Më ligështonte figurina që përthyhej
Të shëmbej përtokë, e pluhurt anonte
Ekzistenca banale më ngjante pa vlerë,
Dilema të ikja më tej a të qëndroja .
Në të përjetshmen strehë vijonte..

 
Befas, befas, befas, befas,
Një zë tronditës, llahtar më thërriste
Klithma prej varrit e nënës sime gulçonte
Të rihyja në lëkurën e boshatisur të vetvetes..
Kërkonte, kërkonte..kërkonte..!




D A S H U R I A

 
Ti thua se fjalët e tua të janë një shfaqje dashurie,
Unë besoj se, mbi të gjitha, jemi thjeshtë të sinqertë !

 
Dashuria, po të jetë vërtetë e tillë e na dhemb,
Është nga të paktat kohë të bukura me stuhi,
Shtrëngata që na lagin e na mbajnë ngrohtë,
Sëmundje që nuk na shtrin në shtrat.
Dhimbje zemre që shpesh ka nevojë për vetmi!




H E S H T J A

 
Një gisht u zgjat mbi buzët e mia
Mbi buzët e mia nga puthjet gjak
Një gisht që më pengonte fjalët
Frymën, lumturinë ma ndalonte pa shkak..

 
Cepi i parajsës ngjethshëm po ikte
Mbi xhama avujsh puthjesh-plotë
Një stinë e mykur pa ngjyra vinte
Me diell të ngrirë e sytë lotë.

 
Më thoshte se ne do ndaheshin të qetë,
Ashtu, pa britma pasionesh kushedi
Nuk vdiste kurrë dashuria e vërtetë
Dikur, diku mund të takoheshim përsëri..

 
Habia e qetësisë që grisej kështu,
Prej derës së hekurt që duhej të hapja,
Mrekullinë e një dhome harruar diku...
Në periferi të dëshpërimit po mbartja

 
E thellë plaga e ndarjes po hapej
Tragjike njohja, dashuria, gjithçka,
Zemra qe lënduar sa mund të ndalte
Dhe vdekja të mbinte papritur,.. hata!.

 
Vështrimin e saj dritëhëne shihja
Përcjellës, e ndjekës, tragjik, sy-lotë
Më lutej të ikja, të ikja, të ikja
Në takim me vetminë time të ftohtë,

 
Dhe bosh-in e kobshëm me vete e mora
Me dritë të ndezur ike edhe ti
Një një cep të pluhurosur planeti...
U ndamë pa zë, në heshtje, gjithsesi..  

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen