Samstag, 27. April 2013

Ramadan Mehmeti: Poezi

 
1. UNË DHE FËMIJËRIA

Kurgjë s’pamë e gjithçka u takua
Në shikimin tonë që e rrethoi blerimi
Prnavera mori edhe një dritare
I hodhi lulëzimet derisa i kërkuam
Që të na buzëqeshë kopshti e dreni
Ta veshim këtë ditë lëkurë bleroshe
Fëmijët ta emërtojnë ditën në lojën
Që kurrë s’e kemi pasur as në ëndërr
U takuam këtu ku nuk mund të ndahemi
Unë dhe Fëmijëria në një rrem
Shikimet tona i rrethoi blerimi
 
 
 
 
 
2. GJUHA IME

As flet nga dhembja
As dëgjon nga pikëllimi
Ç'të bësh me tepricën tënde

Ec e dije
Ku qëndron arsyeja
Ç'flet dhembja
Ç'dëgjon pikëllimi

Pas perdes
Mbetet diagrami
I kohës që po vjen

Shtrëngon dhëmbët kërcënon
Heshtjen e barazon me natën

Për ta gjetur unin në vatër
Gjuha ime
 
 
 
 
 
3. NATA E PARË

Në këngën e natës së parë
Sheherzadës i doli gjumi
Në mbarimin e udhëtimit

Heshtja në vend na ngriu
Fytyrën time atëherë shikova
Në pasqyrën e pusit të trazuar

Megjithatë
Heshtja më ngriu

Sa larg treti ëndrra
Medet për gjumin
Përderisa bota nget
 
 
 
 
 
4. NATA E DYTË

Pas këngës në natën e parë
Sheherzadja vazhdoi udhëtimin
Në Bllacë kafshoi buzët
Për dhembjen e pafund

Trishtimi u tret në hapësirë
Deri në pikëllimin e vrarë
U fundosën ëndrrat

Heshtja shtrëngon dhembjen
Në ditën e nëntë të mallkimit
 
 
 
 
5. TA SHPËTOJMË SHEHERZADEN

Në një harfë dergjet qetësia
Thneglat i bashkohen Koncertit të Ri
Shenjat në ëndërr marrin kuptim

Ngarkuam gomarë me ar
Ta shpëtojmë Sheherzaden
Në breg vetminë ta shkarkojmë

Gjaku vazhdon me të vjetrën
Të trokasë në çdo pore
Të më kthejë në vete

Në një harfë dergjet qetësia
Varros ndjenjën time të gjallë

Atëbotë gjaku im a do të më njohë
 
 
 
 
 
6. FILOZOFIA E LUMIT

Bëj ç’të duash me mjekren time
Të bardhë të zezë si do ti
Vetëm qafën mos ma dridh në litar
Para se të më recitoni poezi

Çerdhen ngrite mbi plisin tim të Zi
Mos lejo që Zogjtë e Stimfalisë
Që me dhëmbët e marrëzisë
Mbi varrin tim të këndojnë përsëri

Era le të fryjë e përzier me shi
Në Mbrëmjen e nisur letrare
Derisa Mollës gjethet t’i dalin përsëri
Mos më zgjoni nga ky varr fare

Mbi botë ka mbetur prapë një valë
Dhe gjithnjë i njëjti lumë rrjedhë
Nëpër mua deri në amshim bredh
«Ajo do të thotë të luash me fjalë»

(Nga libri: REQUIEM PËR MIRKO GASHIN)
 
 
 
 
 
7. U TAKUAM DIKUND

U takuam dikund
Unë dhe djalli i larmë
Te përroi i shtojzovalleve
Më tha se Sheherzadja ka ardhur
Në natën e fundit

Të ka zënë mëkati

Nga mëkatet e mia i lau duart
Më hipi në shpinë
Te përroi i shtojzovalleve
M'i shpëlau këmbët
Me ujin magjik

Nata hijet i mbështolli për shtatin tim
Askush nuk më njohu
Ç'tubim i fshehtë me djallin
Te përroi i shtojzovalleve

Diagramin s'e bëra
Lumi u derdh në shpirtin tim
Nata i vrau zogjtë e miklimit

U takuam dikund
Unë dhe djalli i larmë

Sheherzadja e harroi përsëri numërimin
U kthye në natën e parë
Të lirojë mëkati
 
 
 
 
8. URA E SIRATIT

Deri këtu të solli kënga
Që të ktheu në legjendën e vjetër
Amshimi është gjithnjë larg
Ka kohë të spastrohesh
Përpara e ke Urën e Siratit
Ruaju
Mos u ndal në rrethin e parë të saj
Se humb drejtpeshimin

Ç'bëre me Doruntinën
Ajo të pret pas shtatë konaqesh
Ndizi krandet në vatër
Për të njohur historinë e gjelit herak
Natës
Duke e matur kokën me pëllëmbë
Ecën i gjori kreshtak

Rruga është e gjatë
Mbi Urë të Siratit kur të kalosh
Mos u ngut
Ki kujdes
Se humb drejtpeshimin
 
 
 
 
9. UDHËTIMI

Heshtja s'i ndez krandet në vatër
Derisa sillet në të njëjtin rreth

Por, Mbeti udhëtimi

Ç'të bëj me këmbët
Kanë sharruar në gjethe

Loja vazhdon me të vjetrën
Të më zgjojë në një potpuri tjetër

Zogjtë e molisin kokën në akrepa
Në tiktakun e saj e vrasin dyshimin

Eu burrë
Ç'i mbeti pra udhëtimit
 
 
 
 
 
10. MJEGULLIRË

Mjegullirë
Në sfondin e zi
Asnjë plagë e Gjergj Elez Alisë

Diku nëpër ëndrra
Zogjtë trembin
Ëndrrën e vet

Fëmijët zgjohen
Me plagën e shpirtit
Në zemër

Mjegullirë
Bota sillet
Nëpër ankthin e vet
 
 
 
 
11. KOSOVË I THONË GJILAN

Kosovë i thonë Gjilan
Atë ditë që ndodhi krimi
Biografinë time e lexove
Nën Urën e Maskatrit

Xhamia e Madhe
E hëngri xhematin e vet
Te
Ura e Maskatarit

Rrugët u bashkuan në një
Pa t’i thyer eshtrat
Atyre që i hëngri ai mëngjes i zi
Në masakrën e paparë
Atë ditë të zisë
Në qytetin e mërive
Në Gjilan

E në Fushë-Korb
Kali i shfrenuar nget e s’ndalet
Për ta zënë hapin e vet
Derisa e vrau vetmia
Në mesditë

Në mesditë
Ndodhi krimi në Gjilan
Dobrusha s’fle
S’e lënë klithmat e atyre që i bartte
Nën Urën e Maskatarit
 
 
 
 
12. QYTETI I VJETËR

Ika kryq e tërthorë qytetit të vjetër
Me vetminë e ndrydhur thellë në zemër
Ai s'më njihte as unë s'e njihja
Që të dy ishim si të huaj

Tërë ditën u mora me këtë planet të vjetër
Mbrëmja ra mbi dhimbje

Më kaploi një shi i zymtë
Shi nga kujtimet e vjetra
Por në mua ende kanë mbetur
Të mbështjella kumbime hapash të ikur
Përbrenda meje
Ky planet i panjohur

 
 
13. NË KËTË QYTET

Ky qytet frymon ndryshe
Nuk është më si dikur
Kalojnë kalorës e kalimtarë
Askush s'më zë në gojë

Në këtë qytet të bukur
Rrënjë ka lëshuar trishtimi
Si një re e zezë

Në ëndrrën e vetmisë
Kërkoj pjesën time të historisë
Për ta harruar plagën

Në këtë qytet
Kujt t'i falem
Zotit apo fatit
Koha e ka bërë të vetën
E s'mund t'i falësh
As robit as Zotit dot
 

1 Kommentar:

  1. Më duhet vetëm të them këtë dëshmi, unë quhem Mariah Carey, u martova para 9 vitesh pa asnjë fëmijë për të, burri im më urrente dhe vjehrra ime më trajtoi aq keq, kjo më bëri të frustruar, erdha duke kërkuar në internet për ndihmë më pas pashë shumë dëshmi se si Dr dawn acuna ndihmoi shumë burra dhe gra, e kontaktova menjëherë në Whatsapp dhe ia shpjegova situatën time, ajo më premtoi të më ndihmonte dhe më dha disa udhëzime të cilat i bëra gjithçka në mënyrë perfekte. në fund të fundit ajo më kërkoi të shkoja në spital një letër 1 muaj dhe për habinë time isha 1 javë shtatzënë, por për momentin i jam shumë mirënjohëse sepse kam lindur djalin tim të bukur dhe unë dhe familja ime jetojmë në paqe dhe lumturi. tani, kontaktoni atë në Whatsapp. ( +2348032246310 )
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni martesë të qetë.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje, apo ndonjë gjë tjetër.

    AntwortenLöschen