Samstag, 27. April 2013

Sevdije Rexhepi: Poezi


Sevdije REXHEPI

NË KËRKIM TË PROMETEUT

Në një botë pa emër
Ndërtoj muret e Trojës
Me lutjet pafund
Të mos depërtojë
Kjo uturimë qiellore
Që të çon peshë
Dhe nuk e lë rehat
Vallen e yjeve këtë natë

E shurdhër bëhem
Dhe roje e bindshme
Zgjuar...
Në kërkim të Prometeut
Të shndris errësirën
Hëna edhe ajo zgjuar, e ngratë
Të dyja të frikësuara deri në asht
Nga Kali i Drunjtë

U ngjita në Olimpin
E mendimeve të mia
Përsëri u luta në heshtje...
Zeusi – zot i zotave
Më fali ninullën – uratë
Mua dhe asaj



EMERA

Në lindje u errësua
Perëndimi përqafon të renë
Nga qielli
Emera do të zbres ngadalë
Në dritaren tënde
Fije rrezesh
Do të përkëdhelin fytyrën
Të të thonë se...
Ditë e re po lind
Ti do të zgjohesh
Nga prekje të lehta fluture
Kur të mbërthehesh
Nga ujëvarë mëngjesi
A do të qeshesh
Nga ëndërr e boshatisur?




METAMORFOZË

Mes roje tempujsh
Ndiej tek frymojnë perënditë
E shkuara më ngre për flokë
Hijet e së tashmes më ndjekin
Si Perseu
Do vjedh syrin nga Graitë
Për të më treguar
Të vërtetën e fshehur
Në copëza letrash
Ngjall kujtimet
Në miliarda pjesë të shpërbëra
E lodhur...
Kthehem te të gjallët
Lë vdekjen fillikat
Supet nuk durojnë më
Kacafytje kohësh



SHPRESËJETA

Kalova...
Nëpër Via Egnatia
Lexova lavdinë
E lindje–perëndimit dikur
Veriu e jugu
Me bisht të syrit më përcjellin
Pa dashje...
Provokatore për dreq u bëra
Dëshmitare në grindje akrepash
Dhe orë që njëra–tjetrën gëlltisin
Në sfond dëgjoj zëra poliglotësh
Që ditës i ngecin në orbitë
Nëpër rrugë shkronjash
Ecje e lehtë të mos thyhen ato
Mbështjellë me petkun e shpresëjetës



NË MBRETËRI DRIADASH

Me Ty jam sirenë
Notoj e palodhur nëpër legjenda
Shpirtkështjellën ngritëm nën dete
Njelmësinë ëmbël e zhduk era
Fluturimthi në dendësi pyjesh
Driadat thërrasin në valle
Mysafirë jemi në mbretërinë e tyre
Nën shushurimë gjethesh
Dirigjent... qetësia e kësaj nate
Orkestër... zemrat që rrinë zgjuar
Lidhim bashkë shkronjat
Që për ne shndrisin
Qielli lexohet pa fjalë
Çasteve kur Hypnosi
Ka harruar të na marrë



TË TASHMEN PREK

Në pamjen pa fjalë shikimi flet vetë
Pafundësia hap gojën të të përpij
Shfaqje e zymtë shkronjash
Që nuk lindin dot fjalët
Kur në vallen e tyre pa ritëm
Lozet me hapa të dehur
Ndër shtrëngata të çoroditura
Zgjohem në një botë tjetër
Të tashmen e prek nga afër
Jetoj me shekujt që ikën
E përgjumur...
Mbulohem me jorgan lashtësie
Shtrij këmbët në Babiloni
Se ëndrrat m’i përkund Iliria



NË BABILONI

Gjea... u rizgjua nga Kaosi
Qindra shekuj
E rëndojnë mbi supe
Në një cep
Damarët e shterur nga thatësia

Hermesi pa mëshirë
Ditët ia lidh me zinxhirë
Heliosi i pjek në rërën zbrazëtirë
Mijëra thërrmija pafundësisht
I merr era

Nga lufta qiellore
Për pak çaste
Pikëza që bien vertikalisht
Zeusi dhuroi freski
Në një skaj të botës

Diku në Babiloni



SOMNAMBUL

Rrëshqas shkretëtirës
Rëra përcëlluese më djeg lëkurën
Zhytur...
Gjurmëve të vjetra
Ku dikur Lindje e Perëndim
Kryqëzoheshin në Bagdad
Nuk e shikoj dot Heliosin
Se më verbon dritën në sy
Somnambul shoh Perlat...
Aty ku së pari u gjet koha e humbur
Ngjitem qiellit si feniks
Kur digjej e shkatërrohej nëpër histori
U lodha duke bredhur
Civilizimeve të lashta
Sumeriane
Babilonase
Asiriane
Hapa sytë, për çudi
Frymova lirisht vetëm
...në Iliri



NGA MBRETËRESHA NË FRON

E patrembur nga e nesërmja
Pushoj në Panteon
Kur ditës i zihet fryma dhe mua
Me eter sytë fërkoj
Nëpër epe e mite duke bredhur
Alivanosur dhe ringjallur
Lot i dhembjes në tigër derdhur
Shpirti shëtit karvanëve në shkretëtirë
Ndër tempuj e trungje palmash
Në kërkim të sekretit të lavdisë dikur...
Dërguar nga Mbretëresha në Fron
Shqiponja fluturimthi më vjen në Mesopotami
Aortë e saj më mban ende të gjallë
Sot e shumë shekuj më parë
Më mbron me krahët e saj



ME FLOTË LIBURNE

Përtej vetëhijes
Mas kohën në lashtësi
Valë jete thyej me flotë Liburne
Kryq e tërthor i bie historisë
Në qiellin e pafund të Babilonisë
Gdhendur shqiponjë e gjallë
Më jep fuqi në ditët e stërzgjatura
Krahët e saj m’i falë
Të fluturoj etshëm në Dardani
Sa herë damarët më shteren
E sytë verbohen nga kjo thatësi
Oh, sa herë kthehem atje
E vij këtu përsëri
Shiko më shumë

1 Kommentar:

  1. Më duhet vetëm të them këtë dëshmi, unë quhem Mariah Carey, u martova para 9 vitesh pa asnjë fëmijë për të, burri im më urrente dhe vjehrra ime më trajtoi aq keq, kjo më bëri të frustruar, erdha duke kërkuar në internet për ndihmë më pas pashë shumë dëshmi se si Dr dawn acuna ndihmoi shumë burra dhe gra, e kontaktova menjëherë në Whatsapp dhe ia shpjegova situatën time, ajo më premtoi të më ndihmonte dhe më dha disa udhëzime të cilat i bëra gjithçka në mënyrë perfekte. në fund të fundit ajo më kërkoi të shkoja në spital një letër 1 muaj dhe për habinë time isha 1 javë shtatzënë, por për momentin i jam shumë mirënjohëse sepse kam lindur djalin tim të bukur dhe unë dhe familja ime jetojmë në paqe dhe lumturi. tani, kontaktoni atë në Whatsapp. ( +2348032246310 )
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni martesë të qetë.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje, apo ndonjë gjë tjetër.

    AntwortenLöschen