Dienstag, 26. März 2013

Poezi nga Myrteza Mara


MYRTEZA MARA

KËSHTU THONË POETËT

Rendim duke gulçuar e gati pa frymë,
Nxitojmë sikur do marrim stafetën!
Harrojmë se diku na pret një greminë,
Atje ku vetëm shpirtrat do mbeten.

Rendim, shtyhemi, gjakosemi e vritemi,
Të rënët gjatë rrugës shpallen "flamurtarë!"
Me thonjë e me dhëmbë vetëm ngjitemi,
Megjithëse e dimë që na pret një varrë.

Edhe të duam, nuk kemi rrugë tjetër,
Po pse, o Zot, me klithma e gjak?
A nuk kishe mundësi moj botë e vjetër
Ta shtyje greminën një shekull më larg?

Edhe shekujt si minut do të kalojnë,
Tani kemi shpikur avion e raketa.
Rrugët drejt cakut vetë i shkurtojmë
Pastaj pyesim: kaq e vogël jeta!...

Omar Khajami më vjen ndër mend
Dhe dua t'i ftoj të gjithë në dolli:
Ta shijojmë jetën me verë e këngë,
Dhe puthje të nxehta, siç bënte Ai!

Kështu shkruajnë dhe thonë poetët,
Ata që e shikojnë më parë diellin.
Këtu askush s'do jetë i përjetshëm,
I pavdekshëm s'është as vetë qielli!




PASQYRË E THYER

Në qiellin e syve të tu
rè shtegtimi në ikje!
Ku shkoi
ajo pasqyrë loti, ku?!
Mbeta si sfinks në pritje.

Në detin
e shpirtit tënd
s'duket asnjë dallgë në lundrim;
pulëbardhat u ngjirrën në këngë,
bregu i thinjur
përtyp vetminë.

Në diellin
e syve të kaltër
njolla të verdha
të dilemës hamletiane!...

Mos e mbulo pendimin,
e dashur,
fundi i botës është larg,
ka plotë vatra të etura
ku rilindin zjarre!

Në qiellin e syve të tu
rè shtegtimi në ikje!
Copëzat e thyera
të pasqyrës blu
kurrë s'mund të ngjiten!




PEMA E PSHERËTIMËS

Nuk di pse më janë thyer
shkallë e durimit,
rrokullisem si ortek
në shtigjet e pritjes,
kaq kohë
pa të parë në ëndërr.

Nuk dehem si më parë
me të nesërme,
shiu i sertë i mallit
më gris ombrellën e natës
u lagën të gjitha këngët.

Nuk di të mësohem
me hirin e kujtimeve,
as me zërin e ngjirrur të lotit,
në aerodromet e takimeve
jam ngujuar,
sytë nga froni i Zotit!

Do të pres një jetë
siç më ke pritur
me fenerin e shpirtit në sy,
një psherëtimë
të mbolla në zemër
pemë e bëre ti!




DASHURIA E VËRTETË

Nëse këngës i duhet një notë,
Dhe vargut një rimë e ëmbël;
Dhe syri ka nevojë për lotë,
Dhe njeriut i duhet një emër!

Nëse qiellit i duhet një perëndi,
Ta vendos mbi të gjitha hyjnitë,
Shpirti i Nënës buron aq mirësi
Sa pinë në gjunjë vetë perënditë.

Nëse jetës i duhen ëndrra,
Dhe ëndrrave u duhet jetë,
Më thoni, njerëz, veç Nënave,
Cila është dashuri e vërtetë?!




EDHE NË ËNDËRR

Në tezgjahun e netëve
end ëndrra të fosforta-piketa
për udhët e rikthimit tënd.
Hapat e zemrës time
si hapat e yjeve
mbi çatinë e qiellit
përgjojnë psherëtimat e lutjeve.
Gërshetat e gishtrinjëve t'i thurë
mbi gjoksin aromëjete.
Çmendem!
Çmendinë s'ka për mua,
vetëm një urë shembur
më ndihmon të kaloj
lumin e marrëzisë
dhe vij te ti
veshur me stinën e bukur.

Edhe në ëndërr
s'lodhem duke të puthur!





TUNDIM

Sa herë të shikoj
në diellin e syrit
më vjen të bëhem dëborë
e të shkrihem si prill i ndezur.
Më pas vjen maji,
cicërima pranvere
mbi pjergullat e puthjeve.
Tundohem nga dëshira
të bëhem kangur,
xhepin e zemrës
për ty ta kem burg!

E mira ime,
gardian do bëhem
qiri i ndezur me këngë
brenda hekrurave
të kafazit tënd!




DHURATË PËR SHËN VALENTININ
(Për Ty)

Mos më shiko nga duart,
Nuk të kam sjell lule si dikur.
Në këtë dimër të ftohtë
Të dua më shumë se kurrë.

Jam menduar gjatë këto ditë,
Të bëja një dhuratë të çmuar.
Pashë të gjitha poezitë,
Ato që zjarri yt i ka shkruar.

Por nuk gjeta atë që doja
Duken të varfëra, më duken pak.
Për ty dhe yjet do i rrëzoja,
Për ty do vishesha i tëri me flakë.

Do digjem, por s'do bëhem hì,
Se zjarri yt është ëngjëllor.
Më çmend aq bukur me dashuri
Shën Valentin e kemi gjithmonë...

Mos prit lule këtë herë,
E mira ime mbirë në ëndërr.
Në mbetet bota pa pranverë,
Lulet për ty do i rris në zemër!




NUK I NUMËROJ VITET

Urimi yt për ditëlindje
shkëlqen si ar,
ashtu si yjet
veshur me këmishë drite.
Ku e kishe fshehur
gjithë atë zjarr?!
Sa më pëlqen të ridigjem!

Urimi yt ishte pa fjalë,
as i shkruar me etikë,
sepse nuk mund të shkruhet
mbi dallgë,
patjetër as mbi një ditë.

Kaq, s’do vlente asnjë dhuratë,
as edhe torta mbuluar me qirinj;
në udhët e jetës m’u bëre fat,
fat i firmosur me dashuri.

Do ecim bashkë
edhe nëpër ëndrra,
refren i trokut të shpirtit.
Me emrin tënd
fillon e mbaron kënga
ndaj nuk dua
të numuroj vitet!




NË UDHËT E JETËS

E mar me vete
fenerin e shpirtit tënd,
sa herë më duhet
të hap shtigje
në pyjet e errëta
ku fshihet e vërteta.
Ty s'të le në terr,
ke qiri vargjet e mia
të dashurisë
mbledhur si nektar blete.
Edhe kur çaj shkretëtirat
e nxehta të intrigës
kam buzën tënde
burim që më shuan etjen.
Krahët e tu
më bëhen krah
kur reve u pres gërshtetat,
shkallë për në pasqyrën e hënës.
Ti ke zemrën time në dorë,
siç kam unë bekimin
e përjetshëm të nënës!



ÇUDI ME KËTA POETÊT

Vetëm një çast,
sa një vetull vetëtime,
i dhanë buzëqeshje poetit
si pjastër mëshire.
Në pikën e lotit
e vari këngën e thyer,
kupa e gëzimit
u mbush me maj.

Çudi me këta poetët,
kur bota qesh
ata qajnë!


KUSH?

Kush e mati lumturinë
me gota
dhe u deh prej saj?
Kush e verbua
me magjinë e dritës,
apo u përkund
në muzgun nanuritës
të gënjeshtrës
dhe pastaj....
pastaj i tha "mjaft" jetës!




BALADË PËR QYTETIN TIM

Muzeum kurorash,
epikë e djepeve
ndërtuar me eshtrat e maleve.
Në palët e flamurit-simfoni e erërave,
ëndërr,
qerpikët e ullinjëve
pikojnë histori,
dallandyshet tek Ti trokasin të parat.
Gjoksi-medalion eposi,
shqiponja rrit zogjt e fitoreve,
klithma arbri
nisin Kostandin për udhë.

Qyteti im,
nuse e vjeshtave shtazana,
paja-flamuri legjendë.
Yjet-dëshmitarët pa honorar,
si pleq të urtë në kuvendet e mortit,
lidhur në orbita besnike,
krushët tanë të largët
shkruajnë në papiruset e reve
alfabetin e dhimbjeve.
Në metrot e kujtesës tënde
ka më shumë dritë
se në gjithë pentagramët
e këngëve.
Erdhën kohët e munguara, qyteti im,
të vendosim në shtyllat e nekrologjive
lëkurët e mykura të urrjejtjes,
fjala-amvisa e urtësisë të kaloj e para.

Kur vdekja humbi udhën
nga të çarat e mureve
pikoi qumësht i kuq rozafe,
malet mbetën pa hije,
lumenjtë u thanë nga turpi.
Këmbët e lodhura të urave
kërrcitën nga reumatizma,
folet u veshën me flakë,
qyqet riklithnin për të lëshuar
vezët e mosmirënjohjes.
Nën ylberin e zi
çurguan brrucat e squllura të reve
për të shplarë pendimin e vonuar,
në raftet e arshivës
dosja e “Marrëzisë së Madhe”.
Brenda një dite
e shkurtër sa bishti i gënjeshtrës,
u thinjën kurorat e lavdisë së lashtë,
këngët u tretën në erë,
këmborët pa gjuhë-strehë merimangash.
U bënë qiri, ullinjtë e prerë
ndriçuan lavdinë e varrosur,
selvitë pa uniformë
rrëzuan gjethet mbi tokë.
Mbinë lapidare pa rrënjë,
dëshmitarë dhimbjesh,
mbuluar me qefin smogu të zi,
piskama e Otrantos
akuzë për neomakbethët,
shkruar me lotë pafajsie
mbi zemrat e zbardhura të dallgëve.

Eh, qyteti im,
më shumë ninulla se djepe!
Palosi fletët e zeza
në librin e Harresës,
rishkruaj qetësinë ë trazuar
të shpirtit që s’vdes!

(Nga vëllimi "Gjurmët e Heshtjes"-Janar 1998)




NË LIBRIN E ËNDRRAVE
(Për Ty)

Edhe në muzgun e muzgjeve të thinjur,
Ma vjedh gjumin dhe mbjell ëndërr.
Më bën të ndihem si mëngjes i rilindur,
Troket si një zogë, o Zot, sa ëmbël!

Ma tret vesën e shtruar mbi qerpikë,
Dhe dielli e rigjen strehën në sy.
Edhe tani, netët, dehen me dritë
Dhe ora dhe çasti marrin nga Ti.

Ma hoqe gurin e Sizifit nga supet,
Një jetë të tërë si plagë legjende,
Qielli i shurdhër s'mi dëgjonte lutjet,
Ti lutjen time e bëre lulezemre.

Nga vitet e tua më fale një jetë,
Vitet e mija s'vlejnë për dhuratë,
Por një gjë di, që është e vërtetë:
Në librin e ëndrrave ty të kam fat!

Sa herë hap sytë edhe marë frymë,
Sa here zemra trokon e etur,
Lumturojnë për Ty, o fati im
Fat që s'këmbehet me asgjë tjetër!




ORA E BESIMIT

Edhe të dua s’e ndryshoj dot botën,
As lindjen e diellit, as perëndimin.
Ato punë i dinë vetëm zotat
Unë di të kurdis orën e besimit.

Edhe të dua s’e rrëmbej dot hënën,
Helena e qiellit do të lindte një Trojë,
Homeri i verbër do të rindizte këngën
Legjenda ringrihej, bëhej me gojë.

Edhe të dua s’bëhem dot me flatra,
Shtegëtimet e mia janë vetëm ëndërr.
Aty fluturoj me psherëtima të vakëta,
Aty edhe lotët më bëhen të ëmbël!

Edhe të dua!... Oh, sa shumë dua,
Të bëhem erë, të bëhem dhe zog!
Të vi ku çelin buzëqeshjet e tua,
Por jam larg, zemër, nuk vijë dot!


Ndaj të pres Ty, siç pret syri diellin,
Siç presin pemët vjeshtën e artë,
Ti-gjysmë perëndi që flet me qiellin
Në detin e lotëve nisu me një varkë!

Tek bregu po fjalosem me shkëmbin,
Rrudhur nga malli i pritjes së gjatë
Njëlloj, të dyve, plagët na dhembin
Unë për një puthje, ai për një dallgë!

Kur të vish ti unë e ndryshoj botën,
Edhe lindjen, edhe perëndimin.
Dashuria është mbi të gjithë zotat,
Ndaj matet shpresa me orën e besimit!




KËNGA JONË

Këngën tonë e volëm
Nëpër sqep të zogjëve,
Me buzë e ngrohëm
Dhe në flakë të lotëve.

Ajo këngë na çeli
Vetëm lule jete.
Gjithë ylberët ndezi
Dhe krahun e bletës.

Isua e shtruar e valës
Iu ngjit këngës tonë,
Dritë nga diejt e ballit,
Nga shpirti jehonë.

Kënga nëpër lotë
Lotët krip'e këngës
Nuk i zverdhi dot
Xhelozia e hënës.

Kënga jonë moj mike
Vesë, oh, ves e ëmbël,
Ne na digjen vitet
Ajo çmend një ëndërr.




PEIZAZH I VRARË

Pyje të shurdhër pa këngë,
Zogj të lodhur në fluturim,
Rè që kafshojnë me dhëmbë
Fjalë që pëlcasin si minë.

Anije të çara nga dallgët,
Dallgë të thyera në shkëmb,
Shkëmbinj pa lidhur plagët,
Qielli i grisur pa hënë!

Rrugë që rënkojnë dhimbje
Lëndina të etura për bar.
Tokë që ëndërron për lindje,
Mbi faqe lotë të patharë.

Yje që mbetën shtegëtimit,
Çerdhe jetime, pa zogj.
Trena që s’nisën udhëtimin
Udhëtarë që s’mbërritën dot.

Varre të hapur, pa emër,
Krisma të verbëra marin jetë.
Nëna që presin një letër,
Shtëpi të mbetura shterp.

Buzë që puthjet i harruan,
Sy që nuk shikojnë dritë.
Kope me qenë të tërbuar,
Ujqër sygjaktë në pritë.

Bukë e papjekur në furrë,
Furr i pangopur me zjarr.
Në mes të zjarrit jam unë,
Bashkë me peizazhin e vrarë.

(Mëkati i Botës-1998)




VJESHTË E LODHUR

Krrusur pemët,
si bastun i plakur,
qajnë për kopështar
frutat e thara në degë.
Brumbujt enjten
duke përtyp farëza
në zgavrat e mëkatit.
Gjethet kanë kohë
që prehen në hambar,
dimri po troket
me kollën e vjetër.
Deri në perëndim
e shoqëruan idhullin
lulet e diellit;
s'patën fuqi të rrotulloheshin
drejt portave të agimit.

Mbushur dekoret
dhe pllakat e varreve
me lule artificiale!




AROMË FËMIE

Zënkat tona kanë aromë fëmije,
ndryshe nuk quhen dashuri,
ti, që ke një shpirt si odë poezie,
sa të dua, e di?
Mëritë tona i ngjajnë bletës,
kur puth një lule të sëmurë,
gjithë helmin e mer për vete
në zgjoje pikon si serum.
Mëria jonë nuk zgjat,
ç’ka se ngjanë si vetëtimë,
sa herë ngarkohem inat
ti aq shumë shton dashurinë.
Kur ti mërzitesh,
qielli im mbetet pa diell,
më mbyt vala e trishtimit,
dita më bëhet humnerë.
Nxitoj të ndërtoj urë pendimi
mbi të një hark ylberi,
të lutem, mos e beso xhelozinë time,
malli i largët frymën ma zverdhi.
Më duket sikur gjithë yjet e botës
ta vjedhin dritën ty,
dhe unë mbytem në detin e lotëve
që më ke mbjellë në sy!

Zënkat tona aromë fëmije
shndrrohen në puthje,
përmbi llavën
e shtratit të nxehtë.
Zot, o zot, dëgjomi lutjet
s’është ëndërr, është e vërtetë!
Mos m’i lidh të dy sytë
zgjidhmi kryqet nëpër fjalë;
oh, tani që më dhe dritë
gjeta ikonën për t’u falë!




ËNDRRAT E ZHVESHURA


Ti kot mërzitesh me mua,
unë vetëm lindjen e diellit
e mar seriozisht.
Hënën
s’e zbres dot në tokë,
edhe të dua,
as zjarrin e yjeve
natyrisht.

Ti kot i mbanë sytë nga deti,
i dogja gjithë anijet
që kam lundruar.
Më ka mbetur
vetëm shpirti i poetit,
të tjerat
ty t’i kam dorëzuar.

Ti kot kërkon
të gjesh ndonjë çelës,
të futesh në ëndrrat e mia
të zhveshura,
Ato u mbyllën
në arshivën e kujtesës,
siç mbulon dimri
gjethet e zverdhura!



Marrë nga profili i autorit ne FB