Mittwoch, 7. November 2012

CIKËL POETIK NGA IZET ABDYLI


LEGJENDA

Për t’i dhënë kuptim madhështisë
I vura në lëvizje të gjitha tropet, figurat, metaforat
I bëra të gjitha krahasimet
Që nga mitet antike
Legjenda për trimin me nëntë plagë
Me emrin Gjergj Elez Ali

E krahasova me përmasën fizike të Mujit
Me përmasën e urtisë së plakut Xhemajl Abria

Çuditërisht asnjë pikëpjekje, asnjë dyzim
Çdo figurë çdo krahasim më doli tek

E binda veten se heroi ishte legjendë në vete
Me emrin ADEM


 

ÇMIMI I LIRISË

Të durosh katër stinët
T’i mbërthesh në një stinë
Gur stralli të bëhesh
Kur zemra ngrin nga pikëllimi

Bën acar
fryn breshri plumbash që ndalin blerimin
Petalet e luleve kuqëlojnë pikë-pikë

Mollëkuqet e ndalueme të mbesin në fyt
Gjethet e vjeshtës shkundin sërish pikëllimin

Katër stinët sillen në rrethin dantesk
Bie borë e kuqe zemra të mos ngrijë
Mbin bar i kuq kuqëlon blerimi
Krejt është njësoj
Kur krojet pastrojnë plagët kuq të trimit
E shiu pikon kuq mbi dhembjen njerëzore

Terrin e katër stinëve ta durosh
Shpresa se do vijë agimi të mos fiket
I sh(enjtë)trenjtë është Çmimi i Lirisë

Dobroshevc, Lugu i Madh, 2 Maj 1999,



ATO ISHIN NJËMIJË*

Ato ishin një mijë lule
Një mijë herë shijova nektarin e tyre

Ato ishin një mijë këngë
Një mijë herë i këndova me zjarrin e zemrës sime

Ato ishin një mijë dritare
Që shpiejnë në një mijë shtigje-rrugëtime

Ato ishin një mijë rreze-drite
Që shkëndijonin një mijë ëndrra-shpresa-kujtime

Ato ishin një mijë margaritarë
Që reflektonin një mijë ide-rrëfime

Ato ishin një mijë puhiza
Që freskonin shpirtin-mendimin

Ato ishin një mijë libra
Që një ditë të zymtë, pamëshirshëm në hi
I shndërroi armiku

*. Gjatë ofensivës së 22 shtatorit 1998 barbarët serbë
dogjën 1000 tituj të bibliotekës sime personale




VRASTARËT

I
Kokat e tyre
Antikoka
Përballë epsheve sadiste
Sfidohet jeta
Terri-tmerri
Mbërthejnë në kornizë
Një emërtim të çuditshëm
Jetë-vdekje

21.01.1999

II

Fillimisht duken silueta njeriu
Së afërmi gjasojnë në bisha

Në duart vrastare
Mbajnë thika të përgjakura

Në sy u fshehet dinakëria-pabesia
Moto e tyre sadiste
Sa më shumë gjak
Sa më shumë tmerr

Zgërdhihen para viktimave
Çirren si bisha
Vrastarët
Antinjerëz

24.01.1999



GUR I MALLKUAR
Është një gur i thepisur në periferi të fshatit Gradicë

Vendësit i thonë Guri i Nabadit

Më 24 shtator të nëntëdhjetetetës

Do dëshiroja ky gur të mos ishte fare

Maje tij nuk do vihej A. para pushkatimit

Në rrugën rrëzë tij nuk do bëheshin pesë veta batare

Në lëndinën përballë tij nuk do hapeshin pesë plus pesë varre

Nuk do t`i vëja nofkën guri i mallkuar

Me dufin e urrejtjes për vrastarët

Dobroshevc, 28.01.1999




LUGU I MADH
Diçka më shumë se kuptim gjeografik
Përmasa e tij matet me sigurinë njerëzore

Në thellësi të tij njerëzit e strukur në tenda najloni
Shërojnë plagët, dhembjet, vuajtjet …

Diçka më shumë se kuptimi mal
Që dimrave të ashpër na falte dru për ngrohje

Sërish këto dru na u deshën këtë pranverë-dimër
Ku buka e grurit-misërnikës gatuhet nën saq
E ndahet në përmasën e dashurisë njerëzore

Lugu i Madh s’është sall kuptim gjeografik

Dobroshevc, Lugu i Madh 1 Maj 1999



 


DILEMË


Në Lugun e Madh
Kur jeta varej në zgripc

O sot o nesër
Shpresë e Lirisë - Jetës
Fironte e gjallë

Dhe nuk e thonë kot
Shpresa e fundit vdes

Agu i lirisë
Një mëngjes shpërtheu

Duke zgjidhur dilemën
Jetë - Vdekje




KULLA

Emblemë lashtësie
Ku ngjizet historia

Ngrehinë qindvjeçare
Me të cilën krenohej fisi
Etërit, gjyshërit, stërgjyshërit
Den baba den

Ngrehinë që sfidoi erërat
Stuhitë e të gjitha luftërave
Veç luftës së fundit të çmendisë
Kur të dogjën të rrënuan

Mbeti vetëm oxhaku
I lartësuar drejt qiellit
Të (I)lirisë

Qershor 1999




QËNDRUAM FLAMUR

Sa herë kjo tokë u njomë me vrushkuj
Gjaku
Prapë janë shtuar filiza të rinj

Sa herë këtu dielli ka lindur i përgjakur
Pa drojë rrugën e dritës kemi mësyrë

Sa herë ëndrrave tona ua mbyllën shtegun
Porsi meteor e kemi çarë terrin

Sa herë emrit tonë i vunë pikëpyetje
Çuditërisht mbaroi me pikëçuditëse

Sa kurtha - prita në çdo hap na vunë
Stuhive u vumë gjoksin qëndruam Flamur



TESTAMENT LUFTËTARI

Në vdeksha i ri
Të mos u rrjedh asnjë pikë lot
Borxh ia kemi kësaj toke
Lirinë për jetë e mot





Shënime për autorin

Izet Abdyli u lind më 26 shkurt 1961 në Dobroshevc (Dritan) të Gllogocit (Drenasit). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gllogoc, ndërsa Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Jeton në Dritan të Drenasit, ndërsa punon në detyrën e Sekretarit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Me shkrime filloi të merret që nga bankat e fillores. Ishte i pranishëm në shtypin e kohës si “Bota e Re”, “Zëri Rinisë”, “Rilindje”, “Kosovarja”, “Dielli” etj. Mori disa shpërblime në konkurse letrare. Ka të botuar dy përmbledhje me poezi: “Fjalë Zemre” 1995 dhe “Kur vjeshta shkund pikëllimin” 2005, si dhe është prezantuar në vëllimin poetik “Prelud Poetik” (grup autorësh) 1997, ka te botuar librin “Në mes jetës dhe vdekjes”, fletëza ditari lufte, 2008.
Gjatë luftës së fundit, më 22 shtator 1998 piromanët serbë ia dogjën Bibliotekën personale me 1000 tituj, pastaj dorëshkrime si: një ditar jete, një përmbledhje të gatshme me poezi dhe disa tregime e shkrime të tjera letrare. Gjatë luftës ka raportuar nga zonat e luftës në Drenicë për televizionin shqiptar (përmes redaksisë së TVP-së në Prishtinë) dhe për Qendrën për Informim të Kosovës (QIKU-n).Ishte gazetar i të përditshmeve “Dardania Press”,“Kosova Sot”, “Pavarësia” dhe bashkëpunëtor i revistës “Kosovarja”.

_______

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen